“E qëlluan para syve të mi”/ Gruaja e ish-bankierit italian rrëfen momentet e vrasjes nga dy vëllezërit shqiptarë

Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me vrasjen e rëndë në Leçe të Italisë, ku dy vëllezër shqiptarë vranë në sy të së shoqes ish-bankierin italian Giovanni Caramuscio ndërsa po tërhiqte para në një bankomat. Bashkëshortja e të ndjerit, Anna Quarta, ka rrëfyer momentet kur dy persona kanë qëlluar me një pistoletë Beretta bashkëshortin e saj, i cili është rrëzuar menjëherë përtokë.

“E pashë Giovanni-n të shembej përtokë. Vrapova drejt tij, u përpoqa ta ndihmoj të ngrihej. Por ai tashmë kishte vdekur. Nuk po e besoja, dhe ende nuk e besoj. Giovanni më tha: Ndalojmë një moment, duhet të tërheq disa para”- tha ndër të tjera ajo.

Nga pamjet e kamerave të sigurisë shihet se dy shqiptarët ishin të maskuar me maska anti-Covid.

Ata e kërcënuan me armë ish-bankierin, ndërsa ai reagoi instinktivisht duke e shtyrë njërin prej tyre. Por reagimi i tjetrit ishte fatal, duke e qëlluar me pistoletë Beretta me 5 plumba, dy prej të cilëve përfunduan në gjoksin e viktimës.

Hetimet e para për ngjarjen çuan në zbulimin e armës së vrasjes: ajo ishte fshehur në një vazo në shtëpinë e vrasësit të dyshuar, Paulin Mecaj, i cili jeton në një banesë jo shumë larg dy bankave. Ai akuzohet për vrasje, grabitje dhe armëmbajtja pa leje. 69-vjeçari i ndjerë ishte një ish-bankier i dalë në pension që kishte punuar në Napoli. Ai u qëllua me armë të premten në mbrëmje ndërsa po kthehej me gruan në shtëpi, pas një darke festive.

Burimi: Italy 24 |Përktheu dhe Përshtati: JOQ Albania