Tahiri pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit: 9 muajt e 2023-së rezultuan me bllokadë dhe krizë

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se mbledhja e sotme kryesisë së Kuvendit u mbajt në një datë e cila na kujton sulmet terroriste në ShBA.

“Sot, mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës u mbajt në një datë, e cila na kujton sulmet terroriste të 11 shtatorit në ShBA. Në këtë ditë, është shumë me rëndësi që si grup parlamentar të fillojmë me prezantimin e qëndrimeve tona me një vlerësim se bashkëndjenja e qytetarëve të Kosovës me ShBA-në është e përjetshme. Dhe, jemi me fat që një shtet si Amerika ta kemi mik dhe këtë miqësi duhet përgjithmonë ta ruajmë”, ka thënë Tahiri.

Ai ka shtuar se muajt e kaluar të këtij viti ka qenë periudha më e dështuar.

“Nëntë muaj të Kuvendit të vitit 2023 kanë qenë muajt dhe periudha më e dështuar, më inefektive dhe me më pak rezultate që mund të kujtohet në kuvend. Kemi një shumicë parlamentare që ka mbi 50%, ndërsa qytetarët e Kosovës nuk e dinë që ndonjë ligj që është miratuar dhe që ka ndikuar pozitivisht në jetën e tyre. Pra, dhjetë muaj humbje, kriza dhe dështime”, ka shtuar ai.

Tahiri ka thënë se në muajt e ardhshëm Kuvendi duhet të jetë efikas të paktën në dy-tri tema.

“Duhet të bëjmë gjithçka që është e mundshme, që në tre muajt e ardhshëm, që si kuvend të jemi efikas së paku në dy-tri tema të rëndësishme:

E para, ne si grup parlamentar jemi duke punuar për sektorin publik të iniciojmë një nismë legjislative e cila do ta amandamentojë Ligjin për Buxhet dhe që lidhet me koeficientin e pagave për zyrtarët publikë. Koeficienti aktual është për zvogëlimin e pagave e jo për rritjen e pagave.

E dyta, jemi duke pritur që të kemi një verdikt të Gjykatës Kushtetuese në raport me pagën në sektorin privat. Sektori privat nga kjo shumicë parlamentare është ka shihet vetëm si mbledhëse e taksave/të hyrave buxhetore, por jo si partner në brengën më të madhe që e ka vendi – papunësia. Aty nuk ka asnjë ndihmë e as mbështetje”, është shprehur Tahiri.

Tahiri ka bërë të ditur se në seancën e së enjtes do të diskutojmë për sigurimin e teksteve shkollore për nxënësit.

“Të enjten, seanca e rregullt përkon, po ashtu, me një datë të rëndësishme për Kosovën, është 14 shtatori ku pritet të ketë një takim i nivelit të lartë mes Kosovës dhe Serbisë. Në këtë seancë, kryetari Haradinaj do t’i bëjë disa qëndrime, për shkak se dialogu, ashtu siç po e menaxhon dhe udhëheq kryeministri Kurti, është ka e mban Kosovën peng, në krizë dhe në sanksione. Ai duhet të japë një sqarim pas 14 shtatorit se çka do të bëjë, për shkak se ky pozicion i ka krijuar disa rrethana, që po e kthejnë Kosovën mbrapa, po e thellojnë krizën dhe janë duke e dëmtuar Kosovën në rrafshin e brendshëm dhe të jashtëm”.

“Në seancën e së enjtes do të diskutojmë për sigurimin e teksteve shkollore për nxënësit. Sot, është dita e dhjetë prej kur ka nisur mësimi dhe ende vazhdon problemi i furnizimit të nxënësve me tekste dhe mjete shkollore. Në botën demokratike, mësuesi, arsimtari, profesori, drejtori i shkollës, drejtori komunal e ministri japin llogari nëse humb vetëm një ditë mësimi. Sipas të dhënave, në shumicën e komunave 30-60% e nxënësve nuk i kanë të kompletuara tekstet mësimore, për shkak të një eksperimenti të Qeverisë së Kosovës”, ka shtuar Tahiri.

“Është me rëndësi, që në këtë seancë, do të dekonspirohet edhe një vendim eksperimental, që e dëmtoi sektorin publik. Problemin më të madh që e ka shkaktuar ky vendim, është pabarazia sociale. Kjo pabarazi vjen nga një qeveri, e cila është e majtë dhe promovon barazinë dhe aspektin social në shtet”, ka përfunduar ai.