E shkeli ligjin: Gjykata Komerciale e detyron ministrinë e Hajdarit t’ia kompensojë mbi 1 milion euro një kompanie

Pas skandalit me rezerva, një tjetër problem i ka dalur Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë.

Gjykata Komerciale e ka obliguar MINT-in që kompanisë KPU “Inspect” t’ia kompensojë mbi 1 milionë euro.

Kjo pasi ministria e Rozeta Hajdarit kishte marrë vendim me të cilin ia kishte refuzuar autorizimin për inspektimin e karburanteve të naftës.

Në emër të fitmit të humbur, MINT-i do t’ia kompensojë mbi 1 milion euro kësaj kompanie.

“Vendimi i të Paditurës me të cilin ishte refuzuar kërkesa me numër protokolli 3104, ishte vendim i kundërligjshëm jo vetëm sa i përket shkeljeve të dispozitave procedurale, por edhe sa i përket vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike ngase Gjykata në arsyetimin e Aktgjykimit të saj e ka vërtetuar se nuk qëndron asnjëri nga pretendimet e të Paditurës se gjoja Palës Paditëse i mungonte çmimorja e shërbimeve dhe garancioni bankar në vlerën prej 20,000.00 €”, thuhet në vendimin e Gjykatës.

Lidhur me këtë rast, mbi bazën e provave të administruara veç e veç dhe të gjitha së bashku, Gjykata Komerciale ka ardhur në përfundim se palës paditëse i është shkaktuar fitim i humbur dhe të njëjtës i takon shpërblimi për fitimin e humbur, andaj konform nenit 173 të Ligjit për marrëdhëniet e detyrimeve ka vendosur që ta aprovojë kërkesëpadinë e palës paditëse.

Kjo pasi që në vendim, mes tjerash thuhet se “…Në rastin konkret është vërtetuar shkaktimi i fitimit të humbur i cili pritej në mënyrë të bazuar sipas rrjedhës së rregullt të gjërave, realizimi i të cilit ishte penguar nga veprimi i dëmtuesit, gjegjësisht vendimi i të Paditurës numër 7072 i 11 i datës 30.08.2012 i cili me Aktgjykime të dy instancave gjyqësore ishte vërtetuar si vendim i kundërligjshëm, andaj Gjykata me rastin e vendosjes së Kërkesëpadisë së Palës Paditëse aplikoi nenin 173 të Ligjit për Marrëdhëniet e Detyrimeve”. /Betimi për Drejtësi