E shtuna tragjike në rrugët e Kosovës, pesë të vdekur e 15 të lënduar në aksidente komunikacioni

Pesë persona kanë humbur jetën, kurse 15 të tjerë janë lënduar në pesë aksidente të ndryshme komunikacioni që kanë ndodhur në rrugët e Kosovës, në 12 orët e fundit.

Fundjava në Kosovë ka nisur me pesë aksidente tragjike në rrugët tona, ku si pasojë kanë humbur jetën pesë persona kurse 15 të tjerë kanë marrë lëndime të rënda e të lehta trupore.

Aksidenti i parë ka ndodhë, të premten mbrëma rreth orës 22:40 në rrugën Gjilan-Feriza, ku si pasojë e një përplasje mes dy veturash, dy persona kanë humbur jetën dhe dy të tjerë mbetën të lënduar

Sipas policisë deri te aksidenti ka ardhur kur drejtuesi i veturës ‘BMW’ me targa ‘06 ‘shqiptar shtetas i Kosovës, dyshohet duke mos e përshtatë shpejtësinë kushteve të rrugës e humb kontrollin mbi automjetin dhe kalon në shiritin e kundër ku me anën e djathtë përplasët në veturën ‘Seat-Leon’ me targa BU, drejtuar nga vozitësi shqiptar shtetas i Serbisë, veturë e cila ne atë moment lëvizte në drejtim të kundërt Ferizaj-Gjilan, shkruan Telegrafi.

Ndërsa, në një aksident tjetër, sot rreth orës 9:30, dy persona kanë humbur jetën e tre të tjerë janë lënduar rëndë, në një aksident komunikacioni që ka ndodhur ndërmjet një kombi të udhëtarëve dhe një kamioni në autostradën “Ibrahim Rugova”, përkatësisht afër fshatit Peqan të Suharekës.

Ndërkaq, në një aksident tjetër, që ka ndodhur sot në orën 11:50, në rrugën Lipjan-Shtime, një person ka ndërruar jetë, kurse dy të tjerë kanë lënduar. Në aksident janë të përfshirë dy vetura.

Edhe dy aksidente me shtatë persona të lënduar kanë ndodhur në Istog dhe Fushë Kosovë.

Në aksidentin që ka ndodhur sot në fshatin Zallq të Komunës së Istogut, janë përfshirë tri vetura ku katër persona kanë mbetur të lënduar.

Ndërsa, në një tjetër aksident, që ka ndodhur sot në orën 11:20, në Bresje të Fushë Kosovës, e ku janë përfshirë katër vetura, janë lënduar katër persona.

Numri i aksidenteve me fatalitet në rrugët e Kosovës vazhdon të jetë i madh.

Pas aksidenteve të sotme ka reaguar Policia e Kosovës, e cila apelon tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik për kujdes të shtuar pasi që nga mbrëmë deri sot në mesditë, në tri aksidente të ndara trafiku, kanë humbur jetën pesë persona dhe janë lënduar shtatë të tjerë.

Nga muaji janar e deri në muajin gusht të vitit 2019, në 59 aksidente fatale në vendin tonë kanë humbur jetën 69 persona.

Në janar të vitit të kaluar, në Kosovë ka hyrë në fuqi Ligji i ri për komunikacionin i cili parasheh dënime nga 300 deri në 900 euro për shkelësit e rregullave në trafik si dhe konfiskimin e pikëve nga patent-shoferët për ngasësit problematikë.