E si mundet një i huaj ta dojë Kosovën më shumë se ata që dikur luftuan për ta çliruar atë?!

Shkruan Fatmir Humolli

Proceset politike gjithmonë kanë një ndërlidhje të etapave të ndryshme historike dhe një relacion ku këto procese e pasojnë njëra-tjetrën.
Le të rikujtojmë Marsin e vitit 1998, kur beteja e Jasharëve i dha fund idesë se politika defanzive e qyqare mund të sjellë lirinë, më pas, 24 Marsin kur filloi periudha triumfuese e politikës ofanzive e cila detyroi edhe politikën ndërkombëtare të ndërroj kurs.

Për fatin tonë të keq, që nga Marrëveshja e Rambujesë, duke vazhduar edhe sot, Kosova përfaqësohet prap nga politika defanzive, politkë e papjekur, lypsare dhe pa qëllime apo ideale, nga e cila sot e kemi dhuratë një Gjykatë në të cilën Prokurori Special ngre aktakuzë ndaj Drejtuesit Politik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndaj komandantëve dhe ndaj pjesëtarëve të saj.

Se një gjykatë e tillë është tërësisht politike e vërteton koha dhe mënyra e ngritjes së kësaj aktakuze. Në njoftimin publik të 24 Qershorit 2020*, ndër të tjera, ky prokuror pretendon se po i mbronë interesat e popullit të Kosovës nga Presidenti i vendit dhe nga një prej përfaqësuesve politik të po këtij populli (citim: Mr THAÇI and Mr VESELI have put their personal interests ahead of the victims of their crimes, the rule of law, and all people of Kosovo).
E si mundet një i huaj ta dojë Kosovën më shumë se ata që dikur luftuan për ta çliruar atë?!

Tendenca për të barazuar luftën çlirimtare me agresionin e pushtuesit ndaj një populli në të drejtën e vet, synon ta dobësoj pozicionin tonë dhe ta perkëdhelë Serbinë, duke krijuar kështu një alibi që amniston pushtuesit.

Prandaj, për t’i pamundësuar kësaj gjykate që të njollosë historinë duke e barazuar çliruesin me pushtuesin ne duhet të veprojmë si një trup i vetëm.

Politika shqiptare duhet të këndellet sa më parë dhe ta ndërroj kursin, nga veprimet qorre dhe të njëanshme, në një politikë të unifikuar ku percaktohen qartë qëndrimet dhe veprimet që duhet të ndërmarrim për të forcuar dhe mirëmbajtur miqësitë e arritura me mund me shtetet mike, dhe në anën tjetër të krijojmë një strategji vepruese kundër armikut dhe miqve të tij në Perendim e në Lindje!

Autori është ish epror i UÇK-së