Çfarë kryeministri po m’duhet

Shkruan: Rrahman Paçarizi

Tash kur partitë po mendojnë për ofertat e tyre për kryeministër (nëse janë aq trime sa ta shpërndajnë Kuvendin e ta çojnë vendin në zgjedhje), po mendoj me zë se çfarë kryeministri më duhet, çfarë kryeministri Ju duhet dhe çfarë kryeministri na duhet.

Po e du e po më duhet një kryeministër/kryeministre, e rrjedhimisht edhe ministra e ministre që:

• ka pak shkollë e një diplomë legjitime;

• ka lexu ndonjë libër nga fillimi e deri në fund;

• flet të paktën një gjuhë të huaj;

• ka dalë jashtë vendit për nevoja kulturore, e jo vetëm me honorar të shtetit;

• di me folë e me shkru shqip (jo patjetër standard);

• di me u sjellë me gazetarët;

• ka një bibliotekë në shpi;

• nuk i lakmon, por i mbështet bizneset pa u kërku favore;

• rritja ekonomike e të cilët gjatë mandatit është në përputhje me rritjen ekonomike të vendit;

• nuk fle nëpër hotele njerëzish të dyshimtë;

• nuk shkon nëpër dasma e syneti njerëzish të dyshimtë;

• nuk fotografohet me puro, raki e verëra të shtrenjta që nuk ia mban xhepi;

• ndonjëherë shkon në punë me autobusë, me biçikletë a më këmbë;

• del me familje në qendrat tregtare apo në kafenetë e Prishtinës;

• shkon për pushime me familje aty ku ndodh të takojë ndonjë qytetar të vetin;

• ndodh me shku me ngrënë bukë Te Nazi, në Aurorë apo që blen hamburger Te Aba;

• del ndonjëherë në Gërmi a shkon në pishinën e Gërmisë me familje;

• vishet edhe në Minimax, në Melodi e në Herta;

• nuk ka frikë nga deklarimi i pasurisë;

• del ndonjëherë në kafe a u shkon në vizitë edhe shokëve e shoqeve të shkollës;

• shkon me pi çaj te kojshia i parë;

• shkon për Bajram a Pashkë në katundin e vet;

• han pasul, lakror e kungulluer, së paku sa me pushu prej frutave të detit;
• nget veturë të veten;

• e njeh mësuesin a mësuesen e fëmijës së vet;

• nuk e detyron shoferin zyrtar me shku në çerdhe, kopsht a shkollë me ia marrë fëmijët;
• del pa truproja;

• shkon vetë në dyqanin e lagjes me ble bostan, çaj a makarona;

• e di sa kushton një bukë, një litër, vaj, një litër qumësht, një haribo e një pastë e dhëmbëve;

• e ftojnë për vizita zyrtare jashtë vendit;

• nuk i djersiten duart nga frika e takimit me homologët;

• para se me u taku me homologët lexon diçka për ta dhe ua përmend atyre ndonjë libër a projekt të suksesshëm;

• nuk mbllaçitet gjatë drekave e darkave zyrtare;

• nuk pranon dhurata mbi 50 euro vlerë, madje edhe ato me shumë kujdes;

• nuk ka frikë nga drejtësia;

• …

E di që ju duket e pamundur që një njeri t’i përmbushë këto kushte, por e di gjithashtu se një i tillë na duhet. Pra, të kuptohemi drejt, nuk po flas për barazi sociale, nuk po e du një kryeministër a ministër të varfër as të pasur – po e du një kryeministër a ministër që është i arsimuar dhe i edukuar mirë, e jo kryeministër a ministër “selak e llaskuc”, pe du një kryeministër a ministër që është i ndershëm e jo hajn, pe du një kryeministër a ministër që ka dinjitet dhe jo inferior, pe du një kryeministër a ministër që nuk ka nevojë më i buzëqesh secilit hetues a prokuror.