Edhe 60 operatorë të njësive speciale të Kosovës nisen për në Shqipëri

Në ditën e tretë të operacionit të kërkim-shpëtimit në zonat e prekura nga tërmeti në Shqipëri janë nisur edhe 60 operatorë të tjerë të njësive speciale të Policisë së Kosovës.

Kjo është bërë e ditur nga një njoftim i policisë në Facebook, sipas të cilëve zyrtarët policorë po angazhohen me përkushtim e profesionalizëm.

“Edhe sot, më 28 nëntor 2019, në ditën e tretë, në operacionin e kërkim-shpëtimit në Republikën e Shqipërisë, nga Policia e Kosovës kanë shkuar 60 operatorë të njësive speciale. Zyrtarët policorë po angazhohen në kërkim-shpëtim me përkushtim, profesionalizëm dhe vetëmohim”, thuhet në njoftim.

Kujtojmë që nga tërmeti në Durrës, Kurbin dhe Dhumanë kanë vdekur 41 persona, janë lënduar mbi 650 të tjerë dhe ende po vazhdojnë kërkimet në rrënojat e ndërtesave.