Edhe këtë e bëri Dimal Basha, lëshohet në akuza ndaj KFOR’it: A keni fol me Amerikë, po e humbni kredibilitetin

Deputet i Vetëvendosjes (VV), Dimal Basha ka reaguar ndaj KFOR’it për një deklaratë ku dje bënte thirrje për dialog lidhur me situatën në veri, shkruan Fokusi.info.

Basha ka thënë se KFOR-i po kërkon dialog me bandën e Milan Radojicic, që është i sanksionuar nga SHBA’të.

Madje ka shkuar edhe më larg, dyke pyetur KFOR-in nëse e ka pyetur Ambasadën amerikane në lidhje me deklaratën, dhe se sipas tij ajo s’do ta miratonte atë.

“Pas 15 dite, KFOR-i paska thanë që duhet dialog me bandën e Radojçiqit për zhbllokimin e barrikadave! A keni fol me ambasadën se ky me shokë janë n’listën e zezë të Amerikës? Nuk besoj që Amerika ua miraton këtë deklaratë! Tjetra, po i njejti me shokë janë të kërkuar prej forcave tona policore për plotë vepra kriminale! Kur të takohen me policinë nuk ka dialogim, veç arrestim! KFOR-i është duke gabuar që po e politizon pozitën e vet, sepse po e humb kredibilitetin tek qytetarët duke mos ushtru mandatin e tyre! Nëse dëshironi me qëndru indiferent ndaj kriminelëve, në rregull, vetëm lëshoni udhë sepse policia jonë është deklaru që ka kapacitete me i hjek pengesat, por m’u nënshtru asnjëherë!”, ka shkruar Basha.

Duke iu referuar krizës aktuale të sigurisë në veri të Kosovës, komandanti i KFOR-it, gjeneral major Angelo Michele Ristuccia ka thënë dje se ai mbetet në kontakt të afërt me të gjitha palët e përfshira në proces.

Ai ka thënë se KFOR-i mbështetë dialogun për të gjetur marrëveshje me qëllim të zbutjes së tensioneve në veri.

“Është e rëndësishme që të gjithë të përfshirët të shmangin çdo retorikë apo veprim që mund të shkaktojë tensione dhe të përshkallëzojë situatën. Ne presim që të gjithë aktorët të përmbahen nga shfaqjet provokuese të forcës dhe të kërkojnë zgjidhjen më të mirë për të garantuar sigurinë e të gjitha komuniteteve. Ne i inkurajojmë të gjitha palët që të ndihmojnë në sigurinë dhe lirinë e lëvizjes në Kosovë dhe të parandalojnë narrativat mashtruese që të ndikojnë në procesin e dialogut”, thuhet në një deklaratë zyrtare të Ristuccias.