Efekti “Rama”? BE shpall si “terrorist” sulmin serb në Banjskë

Zëdhënësi i Komisionit Evropian, Peter Stano, tha se qëndrimi i Bashkimit Evropian është se në Kosovë është kryer një sulm terrorist dhe se përgjegjësit për të duhet të sillen para drejtësisë.

BE-ja në thelb është kundër glorifikimit të kriminelëve, terroristëve dhe zisë për ta, tha Stano me rastin e shpalljes së ditë zie në Serbi, pas konfliktit në fshatin Banjska të komunës së Zveçanit në veri të Kosovës.

“Agresorët nuk duhet të barazohen kurrë me viktimat”, tha Stano.

Stano shtoi se Bashkimi Evropian, së bashku me partnerët e tij në rajon dhe SHBA, është shumë i përfshirë në hetimin e konfliktit të armatosur në Banjskë dhe tha se “çfarë ndodhi të dielën duhet të sqarohet sepse do të ketë pasoja”.

“Ky ishte një sulm terrorist dhe një sulm terrorist duhet të hetohet. Dhe ata që janë përgjegjës për këtë duhet të sillen para drejtësisë”, tha Stano.

Ky qëndrim i ashpërsuar i BE-së vjen pas reagimit nga Tirana zyrtare, e cila kontestoi një deklaratë të Brukselit për ngjarjet në veri, duke mos e mbështetur atë. Kryeministri Rama kërkoi një deklarim të dytë ku të dënohet zia serbe për të vrarët e saj.

Jo vetëm kaq, BE e cilëson sulmin serb dhe si “terrorist”. /tesheshi.com/