Ekskluzive – Ligji për pagat kthehet në pikën zero, MPB-ja themelon Ekip Punues për hartimin e draftit fillestar (Dokument)

Ligji i Pagave do të kthehet në pikën zero. Kjo ndodhë pasi që Ministria e Punëve të Brendshme e ka filluar punën për hartimin nga e para të projektligjit për pagat.

Gazeta Blic ka siguruar vendimin e Sekretares së Përgjithshme të MPB-së, Fahrije Tërnava – Sheremeti, për themelimin e ekipit punues.

“Themelohet Ekipi Punues për hartimin e Draftit fillestar të Projekt-Ligjit për Pagat në Sektorin Publik”, thuhet në pikën e parë të Vendimit i datës 14 mars 2022.

Ky ekip përbëhet nga 34 persona dhe një ekspert i jashtëm, por sipas nevojës dhe në bazë të vlerësimit të udhëheqëses së ekipit punues, gjatë hartimit të draftit fillestar mund të ftohen edhe përfaqësues të institucioneve dhe ekspertë të tjerë në këtë ekip.

Vendimi nuk jep sqarime se përse do të hartohet drafti fillestar, kur dihet se sipas deklaratave të Kryeministrit Kurti dhe Ministrit Sveçla lidhur me lajmet se sa do të jetë paga e Kryeministrit, po mbështeteshin në drafte dhe jo në propozime finale. Pra, kjo dëshmon për ekzistencën e draftit, por tashmë sipas vendimit të Sekretares së MPB-së, do të hartohet një draft fillestar.

Gazeta Blic ka provuar që të kontaktoj edhe me zyrtarë të MPB-së për këtë çështje, por kontakti ka qenë i pamundur.