Eksperti rus: Rusia të përgatitet për luftë me NATO-n

Një i ftuar në televizionin shtetëror rus ka thënë se Moska duhet të fillojë përgatitjet për një luftë me NATO-n në pranverën e vitit 2023, në një video që tani është bërë virale.

Sipas Newsweek, Konstantin Sivkov, duke folur në një emision të organizuar nga një anëtar pro-Putin në parlamentin rus, tha se Rusia duhet të fokusohet në përgatitjen e më shumë raketave për këtë konflikt.

Dhe videoja u postua në Twitter të martën nga Anton Geraschenko, këshilltari i Ministrit të Punëve të Brendshme të Ukrainës.

Sivkov, një ekspert ushtarak dhe mbështetës i shquar i luftës së Rusisë kundër Ukrainës, tha gjithashtu se Polonia së shpejti do të sulmonte Kaliningradin, një provincë ruse e vendosur midis Polonisë dhe Lituanisë.

Ai tha: “Ne duhet të prodhojmë sisteme më të fuqishme dhe moderne të armëve, duke pasur parasysh pashmangshmërinë e një përplasjeje me NATO-n në të ardhmen e afërt”.

Udhëheqësi i emisionit kërkoi sqarime nëse do të thoshte një konflikt i armatosur dhe nëse do të ishte Lufta e Tretë Botërore apo konflikt bërthamor.

Dhe Sivkov u përgjigj se konflikti mund të mos jetë domosdoshmërisht bërthamor, por këmbënguli se një përballje ishte e pashmangshme.

Ai vazhdoi: “Po. E gjithë kjo po ndodh. Ne po flasim për periudhën e pranverës… Pra, probabiliteti i këtij konflikti sipas vlerësimit tim është i lartë”.

Këto deklarata vijnë në kohën kur Dmytro Kuleba, ministër i Punëve të Jashtme i Ukrainës, tha se kapaciteti rus për të nisur një ofensivë të madhe, mund të jetë gati deri në fund të janarit ose në shkurt.

Duke folur me gazetarët e huaj në një strehimore në Kiev, kreu i diplomacisë ukrainase tha: “Ata ende shpresojnë të jenë në gjendje të thyejnë linjat tona të mbrojtjes dhe të shkojnë më thellë në Ukrainë”, transmeton Telegrafi.

Kuleba pohoi se ka disa faktorë që tregojnë se Rusia ende dëshiron të pushtojë pjesë të mëdha të Ukrainës, pavarësisht humbjeve të mëdha që ka pësuar.

Ndër këta faktorë janë “mobilizimi i rezervistëve, trajnimi i ushtarëve të mobilizuar dhe manovrat e njësive me armë të rënda”.

Kujtojmë se në shtator, Rusia filloi të mobilizojë rreth 300 mijë ushtarë, që është rreth dyfishi i numrit të ushtarëve me të cilët sulmuan Ukrainën në fund të shkurtit të këtij viti.