Elona Demi, fituese në zgjedhjet në Itali

Elona Demi është emigrantja shqiptare që ka dalë fituese në zgjedhjet vendore në Itali, të cilat u zhvilluan më 26 maj, njëkohësisht me zgjedhjet evropiane në rreth 3800 komuna italiane.

Kandidate në listën e qendrës së majtë italiane, 38-vjeçarja shqiptare ka fituar postin e këshilltares në Komunën Sorbola Mezzani, në provincën e Parmës, ku kryetar Bashkie sapo është zgjedhur Nicola Cesari, me 69.36% të votave.

Shqiptarja Elona Demi jeton prej disa vitesh në këtë komunë.

E lindur në qytetin e Sarandës, ajo është diplomuar në Universitetin e Bolonjës për Juridik e në Universitetin e Parmës për gjuhë të huaja, e punon si profesioniste e lirë në fushën e gjuhësisë e përkthimit.

“Jam krenare për origjinën time shqiptare”, thotë ajo, “bagazhi im kulturor, historik e moral është një vlerë e shtuar në punën time”.

Ndërsa për fitoren e arritur ajo thotë “më kanë zgjedhur për aftësitë e mia e për vullnetin që kam për t’u vënë në dispozicion të komunitetit”, shkruan oranews.

Shqiptarja Elona Demi do të jetë këshilltare bashkiake në Komunën Sorbola Mezzani, ku jetojnë 13 mijë banorë.