Kurti: Nuk mund të lejojmë që të dështojmë sërish në dialog

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ka deklaruar se vendimi për shfuqizimin e taksës doganore 100 për qind për importet nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina, nuk do të merret me procedurë të shpejtë, ngase, sipas tij, fillimisht do të vendoset reciprociteti i plotë ndaj Serbisë.

“Nuk është se ne duam të hakmerremi me reciprocitet, por konsiderojmë që ky është një parim i shëndoshë për marrëdhënie konstruktive, bilaterale e të fqinjësisë së mirë”, ka thënë Kurti.

Në këtë intervistë, ai ka folur edhe për procesin e ardhshëm të dialogut me Serbinë, duke potencuar se do të jetë Qeveria e Kosovës që do të udhëheqë me delegacionin e Kosovës, ku ai nuk e përjashton një rol edhe të opozitës dhe presidentit të Kosovës.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Kurti, keni paralajmëruar heqjen e taksës doganore ndaj Serbisë dhe për këtë qëllim, të premten ambasadori Richard Grenell, ju ka mbështetur përmes një postimi në rrjetet sociale. Kur do ta merrni ju këtë vendim?

Albin Kurti: Gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet që i fituam më 6 tetor të vitit të kaluar, gjatë negociatave me Lidhjen Demokratike të Kosovës, e kemi përsëritur dhe theksuar qëndrimin tonë, se tarifën 100 për qind ndaj mallrave të Serbisë ne do ta zëvendësojmë me parimin e reciprocitetit. Pra, nuk është se do ta heqim tarifën dhe nuk do ta vëmë reciprocitetin, por do ta vëmë reciprocitetin dhe do ta heqim tarifën. Unë kam mbajtur vetëm një mbledhje të Qeverisë së Republikës së Kosovës – ajo ka qenë mbledhja e parë ceremoniale solemne.

Javën e ardhshme do ta kemi mbledhjen e radhës dhe bashkërisht, si kabinet, do t’i përcaktojmë të gjitha shtigjet e veprimeve tona, të cilat aktualisht më duhet të them se janë të përqendruara te Projektligji për buxhetin 2020, te plani i punës së qeverisë, te programi qeverisës dhe te fuzionimi i ministrive që i redukton ato nga 21 në 15 sosh. Unë nuk jam në gjendje sot t’ju them se cilën ditë do të bëhet ky zëvendësim i tarifës me reciprocitetin.

Çka përfshin reciprociteti ndaj Serbisë?

Radio Evropa e Lirë: Si, konkretisht, do të duket, ose si do të zbatohet kjo çështje e reciprocitetit?

Albin Kurti: Reciprociteti, të cilin ne e duam është reciprocitet, i cili shprehet në aspektin ekonomik e tregtar dhe politik, ashtu siç është shkruar në Rezolutën e 7 dhjetorit të vitit 2011 në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Për neve është e papranueshme që të mos kemi simetri në raportet tona edhe sa i përket dokumentacionit të mallrave, pastaj të automjeteve, të certifikatave të ndryshme, e deri te fakti që shoferët e mauneve me mallrat e Kosovës, për shkak se nuk u njihet leja e vozitjes së Republikës sonë, dënohen me qindra euro nëpër rrugët e Serbisë. Pra, nuk është se ne duam të hakmerremi me reciprocitet, por konsiderojmë që ky është një parim i shëndoshë për marrëdhënie konstruktive, bilaterale e të fqinjësisë së mirë.

Radio Evropa e Lirë: Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se Kosova nuk mund të vë masë reciprociteti, sepse Serbia nuk e konsideron Kosovën si shtet. A shihni ju pengesë në këtë qëndrim?

Albin Kurti: Kosova e konsideron veten e saj shtet. Ne e kemi shpallur pavarësinë më 17 Shkurt të vitit 2008. Për pak ditë do të shënojmë 12-vjetorin e pavarësisë sonë dhe Kosovën e konsiderojnë të pavarur rreth 110 shtete anembanë globit, përfshirë këtu shumicën dërmuese edhe të vendeve të Bashkimit Evropian, edhe NATO-s, përkatësisht vetëm 5 shtete nga Bashkimi Evropian dhe vetëm katër shtete të NATO-s nuk e njohin Kosovën.

Radio Evropa e Lirë: Kur prisni që të rinisë dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe a do të jeni ju në krye të delegacionit të Kosovës?

Albin Kurti: Unë do ta udhëheq ekipin e Kosovës për bisedime me Serbinë, si kryeministër i Republikës së Kosovës. Edhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës, edhe aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese nga pranvera e vitit të shkuar, na e konfirmoi një gjë të tillë, por unë do të përpiqem që ky ekip të jetë me përbërje të duhur e me përgatitje të mirë,pra edhe në aspektin politik përfaqësues, edhe në atë profesional të ekspertëve. Unë nuk mund ta di kur do të mund të rifillojë dialogu, ndonëse më duhet të them që në njëfarë mënyre ai ka vazhduar tërë kohën nëpër konferenca e tryeza të ndryshme ndërkombëtare. Ne, në parim, jemi për dialog me parime dhe besoj që nuk e kemi luksin që të dështojmë sërish në dialog, prandaj besoj që edhe ekipi i Serbisë edhe yni duhet t’i bëjnë përgatitjet e duhura përmes diskutimeve me Brukselin sa i përket formatit, agjendës, kornizës etj.

Nuk do të ketë një ekip ku është edhe kryeministri, edhe presidenti

Radio Evropa e Lirë: E përmendët ekipin… A do të jetë bashkë me ju edhe presidenti Hashim Thaçi për të përfaqësuar Kosovën në tavolinën e bisedimeve?

Albin Kurti: Nuk besoj që mund të kemi një ekip ku është edhe kryeministri, edhe presidenti, sepse nuk është në natyrën e negociatave të bisedimeve ndërkombëtare një situatë e tillë. Por, unë nuk dua ta përjashtoj presidentin e Kosovës. Unë besoj që ai është i rëndësishëm si funksion për politikën tonë të jashtme, mirëpo politikën e jashtme e krijon Qeveria e Republikës së Kosovës. Pra, pa përjashtuar mirëpo jo edhe duke udhëhequr siç ka qenë rasti në të kaluarën.

Radio Evropa e Lirë: Si e shihni qasjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës që, përmes zhvillimit ekonomik në Kosovë e Serbi, mund të lehtësohet arritja e marrëveshjes përfundimtare?

Albin Kurti: Besoj që Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, që të dyja janë të pazëvendësueshme për Kosovën nëpër të gjitha proceset, në të cilat ne kalojmë – përfshirë këtu edhe atë të bisedimeve me Serbinë – jam optimist që rolet e tyre mund të jenë edhe përplotësuese edhe atëherë kur nuk janë të njëjta. Në këtë kuptim,padyshim që ne e mirëpresim angazhimin amerikan në raportet tona me Serbinë./rel/