Emërohet kryeinspektori i ri i AKI-së

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, si dhe kryeministri Albin Kurti kanë emëruar sot inspektorin e ri të AKI-së.

I emëruari është Kujtim Shala, që deri tash ka qenë i angazhuar në FSK.

Në një komunikatë, presidenca ka thënë se inspektori i deritanishëm, Burim Ramadani ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë.

“Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani dhe Kryeministri Albin Kurti sot janë njoftuar nga Inspektori i Përgjithshëm i deritashëm i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, z. Burim Ramadani për dorëheqjen e tij nga kjo pozitë. Ata kanë falënderuar z. Ramadani për shërbimin e tij në AKI nga viti 2019 dhe i kanë uruar suksese të mëtejme në angazhimet e tij profesionale. Pas konsultimeve, Presidentja Osmani dhe Kryeministri Kurti kanë emëruar Inspektor të ri të Përgjithshëm të AKI-së, z. Kujtim Shala, i cili deri më tani ishte i angazhuar në Forcën e Sigurisë së Kosovës”, thuhet në njoftim.