Ibishi për kërcënimet e Radojiçiqit: Duhet të merren seriozisht, situata mund të tensionohet

Milan Radojiçiq, nënkryetar i Listës Serbe me anë të një komunikate i është drejtuar kryeministrit Albin Kurti, duke i thënë se “koha do të tregojë se kush do ta pësojë dhe do ta paguajë në fund”, duke e quajtur edhe pushtues.

Sipas tij, Kurti po kërcënon, megjithatë nuk mund ta frikësojë as Listën Serbe e as popullin serb në Kosovë.

“Jemi të vetëdijshëm se kërcënimi juaj nuk është naiv sepse në të kaluarën keni treguar se mund të shkaktoni kaos, të nxisni konflikte dhe urrejtje, të abuzoni me institucionet, dua t’ju them se na frikësoni as ne në Listën Serbe, as populli serb”, ka shtuar ai.

Ai këtë e tha pas takimit të së enjtes, të nivelit të lartë politik në Bruksel, i cili përfundoi pa ndonjë rezultat pozitiv.

Këtë deklaratë të Radojiçiqit, eksperti i sigurisë e konsideron kërcënim direkt.

Nuredin Ibishi në një prononcim për Front Online thotë se deklarata e Radojiçiqit duhet të merret seriozisht.

“Ky është një rast tjetër i kërcënimit direkt nga nënkryetari i Listës Serbe, dhe më i besueshëm i presidentit të vendit fqinj Serbisë që adreson kërcënim direkt me pasoja të mundshme për rendin dhe sigurinë e Kosovës. Kjo duhet të merret seriozisht”, u shpreh ai për Front Online.

Ai thotë se Radojiçiqi do të mundohet të forcojë ndikimin në veri duke e destabilizuar.

“Mendoj që ai duke forcuar pozitën e tij të ndikimit me elementet e tij sulmuese serbe që i ka në veriun e Kosovës, që realisht ata nuk janë më prezent aty, do të mundohet që ta tensionojë situatën dhe të krijoj pasiguri në pjesën e veriut”, thotë ai.

Njohësi i sigurisë Ibishi kërkon që merren masat nga institucionet.

“Situata mund të tensionohet dhe mendoj që institucionet e sigurisë vendore, KFOR-i e EULEX-i në bashkëpunim të marrin masa proaktive me qëllim të sigurimit të rendit, të sigurisë publike, dhe njëkohësisht mundësisë së tensionimit të situatës në veri të Kosovës”, u shpreh ai për Front Online.

Millan Radojiçiq bashkë me Zvonko dhe Zharko Vesellinoviq, Srgjan Vulloviq, Zhelko dhe Andrija Bojiq dhe Radulle Steviq, të gjithë serbë nga Kosova, janë vënë në listën e sanksioneve të Departamentit të Thesarit të SHBA-së e më vonë edhe nga Mbretëria e Bashkuar.