Enver Oruqaj nderohet me titullin “Qytetar nderi” i Vushtrrisë

Kuvendi i Komunës së Vushtrrisë njëzëri votoi që t’i ndahet titulli “Qytetar nderi”, Enver Oruqajt – ish komandant i Brigadës 142 të Zonës Operative të Shalës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për kontributin e tij të treguar gjatë luftës, shkruan Fokusi.info.

Enver Oruqaj lindi më 06.12.1962 në Skënderaj. Shkollën fillore e kreu në qytetin e tij të lindjes – Skënderaj, kurse shkollën e mesme në Vushtrri. Pas përfundimit të shkollës së mesme, u regjistrua në Akademinë Tokësore Ushtarake ( drejtimi i kombësorisë ) – Sarajevë, të cilën e përfundoi me sukses.

Pas përfundimit të Akademisë Ushtarake në Sarajevë në vitin 1987 – kthehet në Kosovë, në cilësinë e edukatorit dhe eprorit në Shkollën e Policisë në Vushtrri .

Në vitin 1990 dëbohet nga puna, për shkak që nuk pranon masat e dhunshme nga Serbia .
Në vitin 1992 ka qenë i maltretuar nga policia serbe në Skënderaj.

Pas betejës së Jasharve në Prekaz, Oruqaj inkuadrohet në UÇK kah fundi i majit të vitit 1998 në Nënzonën e Qyqavicës. Kurse, në korrik 1998 emërohët Komandant i Brigadës 142 të Zonës Operative të Shalës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – detyrë të cilën e kryen me  përgjegjësi dhe profesionalizëm deri në përfundim të luftës.

Enver Oruqaj me përkushtim dhe profesionalizëm udhëhoqi dhe komandoi Brigadën 142, për çka edhe dëshmojnë sukseset në përballjen me forcat serbe.

Më 20 mars 1999 (4 ditë para bombardimeve të NATO-s), forcat usharako – policore dhe paramilitare serbe , në Skënderaj i’a vrasin vëllaun Ilaz Oruqaj në shenjë hakmarrjeje./Fokusi.info/