Policia në aksion, arrestohen dy zyrtarë nën dyshimet për dallavere me patentëshoferë

Policia e Kosovës në koordinim me Prokurorinë e Shtetit është duke zhvilluar një aksion nëpër disa qendra ku mbahen provimet për autoshkollë, mëson Gazeta Express nga burime mirë të informuara në hetuesi, derisa deri më tani sipas këtyre burimeve janë arrestuar dy persona.

Sipas këtij burimi aksioni që ka filluar ditën e sotme është ende duke vazhduar e për këtë nuk mund të dalin me informata zyrtare.

Fillimisht, një tollovi filloi në qendrën ku mbahen provimet te Stacioni i Autobusëve në Prishtinë, ku siç mëson Express sot nuk është mbajtur asnjë provim, derisa ka pasur edhe të arrestuar.

Tutje, mësohet se bëhet fjalë për dy zyrtarë të Ministrisë së Infrastrukturës që janë arrestuar, mirëpo, që një gjë të tillë të kontaktuar nga Express nuk e kanë konfirmuar në ministrinë përkatëse.

T7 ndërkaq raporton nga vendi i ngjarjes, derisa bëhet e ditur se aksioni po vazhdon ende./GazetaExpress