Escobar: Asociacioni është obligim ndërkombëtar i Kosovës

I dërguari special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar thotë se Asociacioni i komunave me shumicë serbe është obligim ligjor i Kosovës dhe Kosova nuk mund ti shmanget kësaj përgjegjësie.

“Asociacioni është obligim juridik ndërkombëtar i Kosovës, Serbisë dhe BE-së që udhëhoqi procesin dhe ne vendosëm ta mbështesim. Ndaj nga ajo përgjegjësi nuk mund të shpëtojë një parti apo një individ”, tha Escobar.

Escobar shtoi se ka dëgjuar propozime shumë konstruktive nga shoqëria civile, një grup multietnik që dëshiron të formohet si Asociacion, si dhe nga organizatat hulumtuese që propozuan se si Asociacioni mund të funksionojë pa rrezikuar funksionalitetin e Kosovës apo Kushtetutën dhe ligjet.

“Këta janë partnerët që unë do të filloj t’i kërkoj për të na ndihmuar të nxjerrim disa ide dhe të çmitizojmë dhe lehtësojmë disa nga frikërat që njerëzit mund të kenë për zbatimin e asaj marrëveshjeje,” deklaroi Escobar.