Escobar: Dialogu është i udhëhequr nga BE-ja, por ne e mbështesim fuqimisht

I dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka folur për dialogun Kosovë-Serbi, duke treguar se së shpejti do të bëjnë një udhëtim në rajon bashkë me të dërguarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

“Ne po e fillojmë këtë vit të ri me energji të ripërtërira dhe me një theks të ri për funksionimin e dialogut. Së shpejti do të bëj një udhëtim në rajon, së bashku me zotin Lajçak për të sinjalizuar mbështetjen tonë për dialogun dhe për të shfaqur angazhimin tonë në drejtim të funksionimit të dialogut”, tha Escobar.

“Është një dialog i udhëhequr nga BE-ja, por ne e mbështesim fuqimisht. Dhe unë shpresoj se do të bëjmë përparim”, u shpreh tutje i dërguari i SHBA-së.

“Më duhet të them se në këtë drejtim, çështja e Serbisë dhe e Kosovës nuk ka lidhje thjesht me Shtetet e Bashkuara dhe Evropën, por edhe me kolegët tanë në rajon. Dhe në këtë drejtim do të thosha se Shqipëria ka qenë shumë e dobishme. Tirana flet me të dyja palët në mënyrë konstruktive dhe mbështet plotësisht përpjekjet tona për të krijuar një marrëdhënie të qëndrueshme mes Serbisë dhe Kosovës, gjë që ne e vlerësojmë”.