Familja Klinaku dhuron gjak në mënyrë të organizuar

Në fshatin Bivolak të Vushtrrisë, sot në mënyrë të organizuar ka vazhduar aksioni tradicional i dhurimit të gjakut, shkruan Fokusi.info.

Rreth 50 anëtarë të familjes Klinaku nga fshati Bivolak i Vushtrrisë, por që jetojnë edhe në Vushtrri, Prishtinë dhe Obiliq, sot janë mbledhur për të dhuruar gjak vullnetarisht.

Ky aktivitet është kryer nën përkujdesjen e Qendrës Kombëtare të Kosovës për Transfuzionin e Gjakut.

Qëllimi i këtij aktiviteti ishte që ta ngris vetëdijen e popullit për rëndësinë e sigurimit të gjakut në kohë, për të shpëtuar jetë njeriu dhe të shërbejë për t’i inkurajuar sa më shumë njerëzit që të dhurojnë gjak.

Dhurimi vullnetar i gjakut është një pasqyrë e vlerave të larta etike, humane dhe morale. Të dhurohet gjak dhe të shpëtohet jeta e dikujt, udhëhequr nga motivet altruiste është vepër fisnike. Në vendin tonë, dhurimi i gjakut bazohet në parimet e vullnetarizmit, anonimitetit, dhurimit falas dhe solidaritetit. Vetëm parimet e këtilla ofrojnë gjak dhe produkte më të sigurta të gjakut. Me vetë dhurimin e gjakut, dhuruesi i gjakut shpreh shkallën më të lartë të solidaritetit me të gjithë ata që kanë nevojë për të, pa marrë parasysh moshën, gjininë, racën, ngjyrën, përkatësinë kombëtare dhe fetare./Fokusi.info/