Familja pesë anëtarëshë në Han të Elezit rrezikon të mbetet në rrugë

I kanë mbetur edhe nëntëmbëdhjetë ditë për të bërë zgjidhje për vendstrehim. Familja pesë anëtarëshe Livoreka nga Hani i Elezit, rrezikojnë të mbeten në rrugë, për shkak se pronari i barakës ku banonin prej gjashtëmbëdhjetë vitesh iu ka dhënë atyre ultimatum ta lirojnë shtëpinë.

Kryefamiljari Zekirja Livoreka, ka thënë për Indeksonline se është në gjendje shumë të rëndë si ekonomike ashtu edhe shpirtërore, pasi që nuk po ka mundësi të gjej ndonjë shtëpi a banesë me qera që do ta përballonte çmimin.

“Gjashtëmbedhjetë vite kam qëndruar bashkë me bashkëshorten dhe tre fëmijët në një barakë në Han të Elezit, qe gjindet afër komunës dhe kemi paguar 50 euro për muaj. Por, pronari na ka thënë se deri më 15 korrik duhet ta lëshojmë shtëpinë. Unë nuk e di ku të shkojë, punoj si taksist dhe s’arrij t’i mbuloj shpenzimet e ndonjë qeraje tjetër”.

Livoreka thotë se edhe në atë barakë që kanë qëndruar, kushtet kanë qenë të vështira, sidomos dimri. Ndërsa ai ka trokitur edhe në dyert e kryetarit të Hanit të Elezit Rufki Suma, por që i njëjti nuk i gjetur ndonjë zgjidhje.

“Kam kërkuar ndihmë edhe nga kryetari Suma, por më ka thënë që s’kanë mundësi të më ndihmojë. Prandaj jam detyruar të iu drejtohem popullit dhe dashamirëve që sado që të kenë mundësi të më ndihmojnë”, ka thënë ai.

Kryefamiljari thotë se ka provuar të gjej një punë tjetër që do t’i sillte të ardhura më të mëdha, por që e ka pasur të pamundur.

“Para luftës kam punuar në një restorant, e pas luftës kështu dal gjatë gjithë ditës me taxi, por shpesh ndodhë që nuk marr asnjë cent. E nganjëherë deri më pesë euro. Kam kërkuar punë, ka qenë e pamundur të gjej diçka më të mirë. Ju e dini si funksionojnë gjërat në vendin tonë”, ka shtuar ai.