Familja Veseli falendëron të gjithë ata që e ngushëlluan për humbjen e kryefamiljarit

Para katër ditësh ka ndërruar jetë babai i Kadri Veselit, Fazli Veseli.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, djali i vëllaut të Kadri Veselit, Hylmi Veseli, në emër të familjes Veseli ka falënderuar të gjithë qytetarët që kanë vizituar familjen gjatë këtyre ditëve.

“Të gjithë ju që na vizituat dhe na shkruat për të na ngushëlluar për humbjen e prindit dhe gjyshit tonë, keni marrë një copë pikëllimi nga pikëllimi ynë dhe na e keni lehtësuar dhimbjen. Faleminderit përfaqësuesve institucional e politik, bashkëluftëtarëve të Kadriut që na mallëngjyen me nderimin e tyre, miqve dhe secilit qytetar nga Kosova, viset tjera shqiptare e diaspora”, ka thënë ai, transmeton lajmi.net.

Tutje, familja Veseli ka falënderuar edhe personelin shëndetësor të Klinikës Infektive në SHSKUK dhe të Spitalit të Mitrovicës, të cilët ishin përkujdesur për babain e Kadri Veselit, ndërsa kanë falënderuar edhe Policinë e Kosovës për ndihmën e ofruar në mbarëvajtjen e cermonisë mortore.

Postimi i plotë në Facebook:

Të nderuar qytetarë, miq e dashamirë,
Në emër të Familjes Veseli, shprehim mirënjohjen më të thellë për të gjithë ju që na u gjendët në krah në këto momente pikëllimi për vdekjen e kryefamiljarit tonë, Fazli Veselit.
Të gjithë ju që na vizituat dhe na shkruat për të na ngushëlluar për humbjen e prindit dhe gjyshit tonë, keni marrë një copë pikëllimi nga pikëllimi ynë dhe na e keni lehtësuar dhimbjen.

Faleminderit përfaqësuesve institucionalë e politikë, bashkëluftëtarëve të Kadriut që na mallëngjyen me nderimin e tyre, miqve dhe secilit qytetar nga Kosova, viset tjera shqiptare e diaspora.

Një falënderim të veçantë për personelin shëndetësor, të Klinikës Infektive në SHSKUK dhe të Spitalit
në Mitrovicë, të cilët u kujdesën për babanë dhe gjyshin tonë, si dhe për Policinë e Kosovës që ndihmoi në mbarëvajtjen e ceremonisë mortore.

Të gjithë ju na bëtë të ndjehemi krenarë për babanë dhe gjyshin tonë, Fazli Veselin, i cili na la trashëgim respektin e shqiptarëve bujarë.
Fazli Veseli na la trashëgim krenarinë për të dhe për edukatën patriotike e moralin njerëzor që na mësoi neve – fëmijëve, nipërve e mbesave të tij.
Përjetësisht mirënjohës!
Paçi gëzime dhe shëndet në familjet tuaja!