Familjarët e Gucatit dhe Haradinajt: Festë për ne do të jetë dita kur të fitoj drejtësia

Vitin e Ri 2023 do ta festojë prapë pa më të dashurin e saj.

Kremtja e sivjetme e motmoteve është e treta radhazi që Gjejlonen e gjen pa bashkëshortin pranë, Nasimin.

“Ai po ballafaqohet me padrejtësi. E ndjej pa praninë e tij”, thotë ajo në një rrëfim për “Front Online”.

Ish-zëvendësdrejtuesi i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së është dënuar me katër vjet e gjysmë burgim nga Gjykata Speciale. Ai u shpall fajtor, meqë sipas trupit gjykues, qëllimshëm kishte zbuluar informacione të mbrojtura, duke rrezikuar kështu dëshmitarët e Speciales.

Gruaja e Nasim Haradinajt ndan kujtime kur festonte e lumtur me bashkëshortin

Sa ishte në liri, Nasimi bashkë me gruan, Vitin e Ri e prisnin jashtë Kosovës.

“E kemi festuar në Suedi. Atje e kemi nënën, vëllain dhe fëmijët”.

“Nasimi është organizator i mirë. Sa ka qenë në liri, kemi kënduar e kemi festuar bashkë për natën e Vitit të Ri. Madje më kujtohet sa e kishte babën gjallë, Nasimi e vëllezërit e tij organizonin tubime me çiftelia”, tregon gruaja, Gjejlonja për Front Online.

Kur vallja e këngët mbaronin, ishte koha për garë.

“Pas festave, gjithë organizonim kuize të diturisë. Kundërshtarë kemi qenë, unë e ai. Shumicën e rasteve, Nasimi dilte fitues. Megjithatë në lëminë e mjekësisë fitoja unë. Fëmijëve u thosha që të bënin pyetje nga kjo fushë. Nasimi nuk donte”.

Momentet e tilla do të mundohen t`i përsërisin sivjet, ani se në distancë.

“E kemi caktuar një lidhje me zoom më 31 dhjetor. Do të bisedojmë si grup familja. Dy orë do të flasim. Ne në Gllogjan do të vallëzojmë, këndojmë e luajmë për me kompensu atë kohën e kaluar”, rrëfehet Gjejlonja për Front Online.

Djali i Hysni Gucatit: Nuk ka festë për familjen tonë

Në Hagë është edhe një shok i moçëm i Nasimit, Hysni Gucati.

Edhe ky u shpall fajtor nga Trupi gjykues i Gjykatës Speciale, duke u dënuar me katër vite e gjysmë burgim dhe gjobë prej 100 eurosh.

Në mungesë të ish-drejtuesit të OVL-së, festat në familjen e tij thuajse kanë mbaruar.

“E di, që as ai nuk do të donte ta thoja këtë. Por, ne si familje nuk ndjejmë aspak festa që nga dita kur babai është arrestuar. Festë për ne do të jetë dita kur të fitojë drejtësia”, thekson djali i tij, Musliu për Front Online.

Mbajtja e “zisë” nuk është diçka që i shkonte përshtat Hysniut sa ishte në liri.

“Babai është njohur gjithmonë si person që ka dëshirë ta bashkojë familjen me ose pa festa të mbledh familjarë, miq e dashamirë edhe pa qenë arsye ndonjë festë”, tha ai për Front Online.

Kështu rëndomtë ishte edhe për Vitin e Ri.

“Kur ka qenë ai, me ne, kishte atmosferë tejet festive. Si në çdo familje”.

“Komunikimin me babën e kemi të përditshëm nëpërmjet telefonatave ndërsa komunikojmë edhe përmes platformës Zoom disa herë gjatë muajit. Tash për shkak të gjendjes shëndetësore të babait mund të themi që në dy muajt e fundit na është mundësuar pothuajse çdo ditë ta shohim përmes kësaj platforme”, pohoi për “Front Online”, Musliu, djali i Hysni Gucatit.

Mungesë të njëjtë kanë edhe familjarë të tjerë.

Në Hagë, pos Gucatit e Haradinajt, ndodhën edhe ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi.

Atje janë edhe Pjetër Shala e Cali, i cili së fundmi u dënua më 26 vjet burgim nga Specialja.