Koronavirusi përhapet në të gjithë regjionet e Kinës: 170 të vdekur deri tani

Numri i vdekjeve nga Koronavirusi është rritur në 170 dhe me një rast të konfirmuar në Tibet, virusi tani është përhapur në çdo rajon të Kinës kontinentale.

Autoritetet kineze të shëndetit kanë thënë se janë 7,711 raste të konfirmuara në vend që nga 29 janari, njofton Klan Kosova.

Infeksionet janë përhapur edhe në të paktën 16 vende të tjera.

Organizata Botërore e Shëndetit (OBSH) do të takohet të enjten për të diskutuar nëse virusi përbën një emergjencë globale shëndetësore.

“Në ditët e fundit përhapja e virusit në disa vende, veçanërisht transmetimi nga njeriu te njeriu, na shqetëson”, tha Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, të mërkurën.

“Megjithëse të prekurit jashtë Kinës janë ende në numër relativisht të vogël, mundësia e përhapjes së sëmundjes është më e madhe”.

Çka është Koronavirusi?

Virusi po dyshohet se ka dalë nga kafshët e egra që janë tregtuar në mënyrë të paligjshme në një treg ushqimesh deti në Wuhan, kryeqyteti i provincës Hubei, ku edhe janë raportuar shumica e rasteve dhe vdekjeve.

Megjithëse ka pasur disa raste kur dyshohet se janë përhapur mes njerëzve – shumica e rasteve të konfirmuara janë njerëz që vijnë nga Wuhan ose kanë pasur kontakte të ngushta me dikë që kishte qenë atje.