Familjarët e viktimave të luftës të Zhegrës reagojnë pas dënimit të Vllada Zmajeviqit (video)

Familjarët e viktimave të luftës së fshatit Zhegër dhe Dunav të Gjilanit e kanë mirëpritur vendimin e Gjykatës së Lartë në Podgoricë që e ka dënuar me 14 vjet burgim të akuzuarin Vllada Zmajeviq.

“Pavarësisht që nuk jemi të kënaqur me lartësinë e dënimit, ne si familjarë të viktimave e mirëpresim këtë vendim të drejtësisë malazeze i cili ndonëse i vonuar është një lajm i mirë dhe satisfaksion për ne”.

Ata kanë kërkuar që të dënohen të gjithë ata që vërtetohet se kanë kryer krime lufte në Kosovë, njofton Klan Kosova.

“Kërkojmë që të gjithë ata që kanë kryer krime lufte në Kosovë të vihen para përgjegjësisë penale pasi që vetëm në këtë mënyrë, eshtrat e viktimave do të prehen të qetë. Paqja e plotë do të jetë e mundur vetëm kur të arrihet drejtësia për viktimat e luftës”.

Zmajeviq u gjet fajtor për veprën penale “Krime Lufte kundër popullsisë civile” pasi që u vërtetua se më 30.03.1999 në fshatin Zhegër i kishte privuar nga jeta qytetarët Milazim Idrizi, Qamile Haziri dhe Qazim Haziri, ndërsa në fshatin Dunav e kishte vrarë Imer Kadriun.

Më poshtë storia nga Klan Kosova e realizuar në vitin 2016 kur Vllada Zmajeviq u arrestua.