Kryetari i OVL-UÇK-së: Miqtë duhet nderuar, por së pari dëshmorët, invalidët dhe luftëtarët e UÇK-së

Sot po shënohet 20 vjetori i hyrjes së forcave të NATO-s në Kosovë, pas 78 ditëve të sulmeve ajrore mbi caqet e forcave serbe. Me hyrjen e trupave aleate të NATO-s, bëri që Kosova të çlirohet nga robërimi shekullor. 20 vjet pas, shumë personalitete botërore si ish-presidenti Bill Clinton, ish-sekretarja e shtetit Medeleine Albright, gjenerali Wesley Clark, po qëndrojnë në Kosovë për të festuar këtë vit jubilar të çlirimit të Kosovës.

Por, edhe dy dekada pas luftës, Kosova ende nuk e ka një datë të çlirimit të saj. Madje, në këtë vit jubilar krerë të institucioneve, përfaqësues politikë, e shumë tjerë, po i falënderojnë miqtë ndërkombëtarë që ndihmuan Kosovën të çlirohet nga Serbia.

Por, ata duket se kësaj radhe kanë harruar dhënien e meritave për ata që zhvilluan  luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pra dëshmorët, invalidët dhe veteranët, të cilët bënë sakrificën më të madhe për sjelljen e lirisë për popullin e Kosovës.

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati, ka thënë për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus, se institucionet e Kosovës janë vonuar shumë në caktimin e datës së çlirimit të Kosovës, datë të cilën e kanë të gjitha vendet e botës.

“Jo janë vonu pak, por janë vonuar shumë, që 20 vjet pas luftës askush s’i ka ndaluar të caktojnë ditën e çlirimit. Askush s’i ka ndaluar, as UNMIK-u, as EULEX-i, as ndërkombëtarët, kjo është një gënjeshtër e tyre, më vjen keq që po e them, por kanë gënjyer se askush s’i ka ndaluar ta caktojnë datën e çlirimit, ditës së festës për çlirimin e vendit. Në krejt botën ekzistojnë ditë të çlirimit të vendit që kanë bërë, të gjitha shtetet e botës. Pse mos ta ketë edhe Kosova ditën e çlirimit. Jo ditë e paqes të quhet, por ditë e çlirimit që dihet se edhe ne e kemi çliruar vendin nga okupatori serb, janë vrarë mija dëshmorë, mija invalidë të luftës, mijëra martirë që janë rënë dhe neve na ka hije ta caktojmë ditën e çlirimit të Kosovës bashkë me aleatët tanë”, ka thënë Gucati.

Megjithatë, Gucati ka theksuar se shumë shpejt pritet që të dalë Ligji për vlerat e luftës dhe aty do të caktohet edhe data për çlirimin e Kosovës.

“Mendoj që pikërisht kjo ditë 12 qershori do të jetë ditë e çlirimit dhe të jetë ditë feste, jo ditë pune si sot që punohet, me përjashtim të shkollave. Të gjitha institucionet është dashur ta kishin ditë pushimi, kështu që nëse e shënojmë këtë ditë, ne i nderojmë dëshmorët, i nderojmë invalidët e luftës dhe i nderojmë veteranët që janë gjallë, i nderojmë edhe martirët që kanë rënë për këtë vend. Kështu që është dashur të jetë ditë feste dhe ditë pushimi”, theksoi ai.

Gucati ka pasur kritika edhe për mos vlerësimin e duhur për luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dëshmorëve, invalidëve dhe veteranëve të luftës, në këtë vit jubilar, të 20 vjetorit të hyrjes së NATO-s në Kosovë.

Sipas tij, është mirë dhe e pakontestueshme falënderimi për miqtë që kanë ndihmuar Kosovën, por së pari duhet falënderuar vetveten për kontributin që kanë dhënë mijëra dëshmorë, veteranë, invalidë, martirë për çlirimin e vendit.

“Është mirë të nderohen të gjithë miqtë që kanë ndihmuar në çlirimin e vendit, si Clintonin, si Albrigtin, si Clarkun, si Blairin, të gjithë ato shtete që na kanë ndihmuar t’iu bëhet respekti. Por, edhe respektin në familje duhet me pas, ne jemi familja e këtij vendi, ne jemi ata që e kemi çliruar vendin duke falënderuar NATO-n që na ka ndihmuar. Kështu që unë besoj që do të mbledhin men pak, ka qenë vit jubilar 20 vjetori i dëshmorëve, por besoj që do t’iu bie në mend për neve pak më shumë. Miqtë duhet t’i nderojmë gjithmonë, por së pari duhet falënderuar vetveten, duke ditur sakrificën e popullit shqiptar, Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës që kanë bërë për vendin e vet. Edhe unë e falënderoj NATO-n, Albrightin, Clintonin, Tony Blairin, gjithë ato shtete që na kanë ndihmuar”, është shprehur Gucati.

Madje, ai ka shtuar se pikërisht sot është dashur që të dekorohen gjithë dëshmorët e vendit.

“Është dashur edhe presidenti, kryeministri, të gjithë të dalin të dekorohen gjithë dëshmorët e vendit. Nuk po them t’i thërrasin me emra të gjithë por të dalin zyrtarisht me një qëndrim që të gjithë meritorët e vendit që kanë dhënë për Kosovën të dekorohen, sidomos dëshmorët”, shtoi ai.

Kosova sot shënon 20 vjetorin e çlirimit dhe hyrjes së forcave të NATO-s në Kosovë, pas përfundimit të bombardimeve të gjata ndaj caqeve të forcave serbe.