Familjes Ademaj i aprovohet kërkesa për rivarrim të së bijës

Familjes së Liridona Ademajt i është aprovuar kërkesa e dërguar në prokurori për rivarrim të saj.

Siç ka bërë të ditur për KOHËN vëllai i viktimës, Leonard Ademaj, familja ka kërkuar që në zhvarrimin e saj të mos ketë media për arsye të sigurisë.

Ndërkaq, në rivarrim ka thënë se janë të hapur për çdo gjë.

Edhe gjatë deklarimit të tij para mediave pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë, kur po mbahej seanca për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarve për vrasjen e Liridona Ademajt, vëllai i saj ka thënë se është bërë kërkesa për zhvarrosje dhe presin që sa më shpejtë të ndodhë.

“E kemi bërë kërkesën për zhvarrosje, kemi folur me kryeprokurorin dhe prokurorin e rastit, e kemi bërë edhe me shkrim. Rivarrimi të ndodhë sa më shpejt është sa më mirë për familjen tonë dhe të gjithë ata që janë te ne sepse shumica e familjes janë në mërgim dhe duam që rivarrimi të ndodhë sa më shpejt për të na lehtësuar dhimbjen dhe që Liridona të mos e meritojë atë vend atje ku është, por të vijë në vendin e saj”, është shprehur ai.