Fermerit nga Gradica e Drenasit ia djegin 5 hektarë mjedër

Zjarret në vendin tonë ditëve të fundit janë bërë shqetësim për qytetarët.

Raste të shpeshta po hasim çdo ditë, veçmas gjatë vikendeve, ku toka bujqësore e fusha po digjen në mënyrë të qëllimshme.

Ky fenomen ndonëse i ndaluar, vazhdon të paraqes rrezik, jo vetëm për shkak të afërsisë me vendet e banueshme, por edhe për shkak të ajrit të dëmshëm, përcjellë Indeksonline.

Sot, një fermeri nga fshati Gradicë i Komunës së Drenasit i janë djegur rreth 5 hektarë mjedër, ndërsa është dashur të intervenojë edhe ekipi i zjarrfikësve.

Fermeri nga Gradica përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, është shprehur të jetë mjaftë i shqetësuar me këtë që i ndodhi sot, ndërsa ka treguar se falë zjarrfikësve ka arritur të shpëtojë një pjesë e plantacionit.

‘”Është për të ardhë keq se çfarë njerëz mbanë kjo tokë. Sot persona të pandërgjegjshëm i kanë vu zjarrit plantacionit me rreth 5 hektar mjedër, por për fat një familjar i imi nga Baica ishte duke kalu andej e ma dha lajmin e hidhur. Me intervenimin e shpejtë të zjarrfikësve nga Drenasi, arritëm ta shpëtojmë pjesën dërmuese të plantacionit”, ka treguar ai.

Ndryshe, pavarësisht apelit për mos djegien e fushave pasi të korren drithërat, pronarët dhe qytarët, vazhdojnë të besojnë se tokat e tyre do të jenë shumë më produktive.  Por sipas ekspertëve se bujqësisë, lëvrimi i tokës do të ishte shumë më produktiv se vënia e zjarrit.