Fetoshi: Riaktivizimi i SHBA-së në Ballkan ka të bëjë me parandalimin e depërtimit rus

Shtetet e Bashkuara të Amerikës duket se kanë nisur një ofensivë ndaj personave që i konsiderojnë si destabilizues të Ballkanit.

Kështu SHBA-ja, si masë ndaj tyre, ka vendosur sanksione dhe po ashtu janë shpallur edhe non-grata.

Në listë kanë hyrë Milan Radojçiq, Zvonko Veselinoviq, ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, e së fundmi edhe lideri i serbëve të Bosnjës, Milorad Dodik.

E duket se do të ketë edhe persona të tjerë në Ballkanin Perëndimor që do të hyjnë në “listën e zezë” amerikane gjatë vitit 2022.

Këtë iniciativë profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare Arben Fetoshi po e sheh si një riaktivizim të SHBA-së në Ballkan.

“Unë mendoj se janë shenja të një qasjeje të re ose një riaktivizim të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në përgjithësi në Ballkan, që kanë dy dimensione: e para shqetësimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës me nivelin e demokracisë në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, në kuptimin që përfshirja e institucioneve dhe faktorëve politikë në krimin e organizuar është mbytëse në vetvete për çdo përpjekje të përmirësimit të demokracisë së shoqërive tona”.

Fetoshi tha, në emisionin Info Magazine në Klan Kosova, se në aspektin gjeostrategjik përfshirja e SHBA-së në Ballkan ka të bëjë me parandalimin e mëtutjeshëm të depërtimit rus.

“Dhe në anën tjetër, jam i prirur ta shikoj edhe në kontekst gjeostrategjik, si një rikthim i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për shkak të kërcënimit të vazhdueshëm të depërtimit rus në rajonin tonë”.

“Pra, në qoftë se i kombinojmë të dyja dhe në qoftë se shikojmë reagimin deklarativ të Dodikut, i cili e ripërsëriti që Bosnja dhe Hercegovina do të shpërbëhet, atëherë kemi të bëjmë me një shqetësim serioz të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për paqen në rajonin tonë dhe fillimin e një epoke të re, e cila duhet të stimulojë sundimin e ligjit në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor”.