FFK-ja me seminar për futbollistët e rinj kundër kurdisjeve të ndeshjeve

Futbollistë nga shkollat e ndryshme të futbollit nga regjioni i Prishtinës, u mblodhën për të dëgjuar ligjëratë kundër një dukurie mjaft të shprehur në futboll.

Të shtunën, në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë dhe të Sporteve në Prishtinë, të rinjtë e shkollave të futbollit, u njoftuan me parandalimin e përpjekjeve manipuluese që mund të ndodhin në futboll, e që synim e kanë përfitimin e parave nëpërmjet kurdisjeve, transmeton KTV.

Ligjërues para grupmoshave U14 deri në U19 ishte zyrtari për integritet të garave, Ejup Osmani.

Edhe pse të rinj në moshë dhe ndoshta herët për t’u njoftuar me dukuri të tilla, ata veçse e dinë anën e errët të kurdisjeve në futboll.

Pëllumb Gllogu, Eron Zeka e Vigan Buza, që të gjithë 14-vjeçarë nga shkolla e futbollit Prishtina, 2 Korriku respektivisht Ramiz Sadiku, thonë se në rast të përfshirjes, mund të ndikojë drejtpërdrejt në karrierën e tyre.

I njëjti seminar që është i detyrueshëm nga UEFA, përdoret edhe për të gjitha federatat e futbollit në Evropë, sipas ligjëruesit dhe zyrtarit për integritet të garave, Ejup Osmani.

Osmani nënvizoi se takime të ngjashme do të zhvillohen edhe me zyrtarë të klubeve si dhe me futbollistë seniorë.