Nuk iu dha leje të shkojë në Preshevë, Sveçla me polici viziton brezin kufitar përgjatë Liqenit të Ujmanit

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka bërë me dije se bashkë me Ministrin Elbert Krasniqi dhe Drejtorin e Policisë, Gazmend Hoxhën,të shoqëruar nga Policia, kanë vizituar brezin kufitar verior mbi fshatin Bërnjak, që shtrihet përgjatë Liqenit të Ujmanit.

Sveçla ka publikuar foto nga vizita, derisa ka thënë se Policia është në nivelin më të lartë të detyrës e me vigjilencë po mbronë kufinjtë, raporton Express.

“Bashkë me ekipin, zyrtarët policor kufitar e të Njësisë së Ndërhyrjes së Shpejtë të Kufirit biseduam për nevojën e avansimit të kapaciteteve tona në pikat kufitare e në menaxhimin sa më efikas të brezit tonë kufitar. Mbështetja ime nuk do të mungojë për Policinë e Kosovës për të garantuar siguri e integritet të Republikës sonë”, ka shkruar Sveçla.

Ndryshe, Sveçla kishte planifikuar që sot të zhvillonte vizitë në Luginën e Preshevës, mirëpo Serbia nuk i ka dhënë leje.

“Mbrëmë në orët e vona, nga zyrtari ynë ndërlidhës në Beograd jam njoftuar se kërkesa jonë për vizitën e sotme në Luginë është refuzuar nga autoritetet e Serbisë pa asnjë spjegim”, ka njoftuar vetë Sveçla.

Ai tha se vizita i është refuzuar pa asnjë arsyetim.

“Ky refuzim pa asnjë arsyetim nga Serbia disa orë para realizimit të vizitës, nuk zbehë qëllimet dhe angazhimin tonë për shqiptarët e Luginës. Ndër të tjera, nuk do të zbehë as dëshirën dhe qëllimin tim për realizim të vizitës atje, për të ndarë me shqiptarët e Luginës shqetësimet e padrejtësitë me të cilat ata ballafaqohen dhe angazhimet e institucioneve të Republikës sonë për ta”, ka shkruar ai.