Haradinaj ripërsërit: Salih Zyba sekser klasik i votave, u shkoi deputetëve në shtëpi

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka vazhduar akuzat ndaj deputetit të VV-së, Salih Zyba, për të cilin thotë se ka qenë sekser i votave për Vjosa Osmanin presidente.

Në një konferencë për media, ai ka thënë se Zyba u ka shkuar edhe në shtëpi deputetëve.

Në këtë kontekst, ai e ka quajtur Zybën “sekser klasik”.

“Zoti Zyba ka kontaktuar me deputetët tonë. Njëri nga këta deputetë ka kërkuar takim me mu, i cili ka kërkuar që të takohem edhe unë. Mirëpo unë kam thënë se ju jeni sekser. Unë jam i gatshëm me u taku me kryetarin e VV-së. Zyba është një sekser klasik që ka marrë përsipër trafikimin e votave. Nëse ai insiston e ballafaqojmë edhe me deputetët që ju ka shku në shpi”, ka thënë ai.

Ai tutje tha se Kurti duhet të marrë përgjegjësi për obligimet që ka, dhe jo të ikë prej tyre.

“Nuk ki nevojë me ikë prej përgjegjësisë, ke fitu, ne do të ndihmojmë. Ekziston mundësi reale e ikjes nga përgjegjësia, nëse janë aq të papërgatitur. Nuk dëshirojmë me ja jep këtë luks sepse është kohë pandemie”, tha Haradinaj.