Fillon organizimi i protestës kundër masave të reja anti-Covid, kërkohet dorëheqja e Zemajt

Qeveria e Kosovës si duket do të përballet me protesta të premten si pasojë e masave të reja anti-Covid.

Një thirrje e tillë është duke u organizuar në rrjetet sociale si kundërshtim ndaj masave të reja kundër koronavirusit të qeverisë së Kosovës.

Protesta është paralajmëruar të mbahet të premten, në orën 11:00, ndërsa përmes saj do të kundërshtohet ora policore dhe masat e tjera të Qeverisë.

“Kjo protestë gjithëpopullore do të jetë protestë paqësore, e cila do të mbahet në sheshin Skënderbe në Prishtinë, para ndërtesës së Qeverisë. Pikat e protestës janë: jo orë policore, pakënaqësitë e shumta me qeverisje dhe masat e ndërmarra kundër covid-19, mos ofrimi i ndihmave materiale e financiare për popullin gjatë pandemisë, kthimin e shifrës prej mbi 2 milion euro të vjedhura nga thesari i shtetit (ultimatum 48 orë – të paraqiten dokumente & kryesit e aktit të turpshëm të vihen para drejtësisë, dorëheqja e Armend Zemajt nga pozita e ministrit të shëndetësisë, pozitë e cila nuk i takon me profesion”, thuhet në njoftimin e protestës.

Organizatorët e protestës kanë paralajmëruar se nëse këto pika të kërkesës nuk zbatohen deri më datë 13 nëntor, protesta do të marrë përmasa të tjera.

Gjithashtu është kërkuar nga protestuesit të kenë maska.