Finalizohet Udhëzimi Administrativ, mësimdhënësit e viteve të 90-ta shpejtë do t’i marrin paratë që iu takojnë

Parashihej që muaj më parë të fillojë kompensimi shtesë për mësimdhënësit të cilët punuan gjatë periudhës së viteve 1990-1999, në kuadër të procesit të njohur si sistemi paralel i arsimit në Kosovë.

Kompensimi në fjalë u mundësohet në bazë të Ligjit për statusin e punëtorëve të arsimit shqiptarë të Republikës së Kosovë nga viti 1990 deri në 1999, i cili është miratuar në muajin shkurt të këtij viti, por që ende nuk ka filluar zbatimi i tij në praktik.

Lidhur me këtë Indeksonline ka kontaktuar ministrin e Arsimit, Shyqiri Bytyqi, i cili ka deklaruar se është finalizuar Udhëzimi Administrativ dhe që vetëm pritet t’i kalojë procedurat e parapara për dëgjim publik dhe do të hyjë në fuqi.

“Është finalizuar Udhëzimi Administrativ ,vetëm pritet t’i kalojë procedurat e parapara për dëgjim publik dhe do të hyjë në fuqi”, tha Bytyqi.

Kurse, kryetarja e Komisionit për Arsim, Teuta Haxhiu ka deklaruar se vonesa e zbatimit të ligjit për punëtorët e viteve të 90’ta është e paarsyeshme kur dihet që buxheti është ndarë me kohë.

“Vazhdimisht më pyesin qytetarët dhe nga MAShT-i marr përgjigje që arsyeja është Udhëzimi Administrativ. Kjo është pakuptueshme dhe bëj thirrje nga institucionet përkatëse të fillojë zbatimin e ligjit. Është kërkesë e Kuvendit të Kosovës, por për fat të mirë kjo Qeveri arriti që të përfundojë këtë ligj dhe njohjen sado pak të meritës jetike që kanë mësimdhënësit e asaj periudhe”, tha Haxhiu për Indeksonline.

Ndryshe Ministria e Arsimit nxjerr Udhëzimet Administrative më së largu në gjashtë muaj.

Duhet përkujtuar se mësimi në Kosovë gjatë viteve të 90-ta është zhvilluar nëpër shtëpitë-shkolla, sipas organizimit paralel që kishin vendosur atë kohë përfaqësuesit politikë shqiptarë, duke kundërshtuar nënshtrimin ndaj politikës së Beogradit dhe Sllobodan Millosheviq-it.

Të gjithë punëtorët të cilët kanë ushtruar profesionin e tyre gjatë kësaj periudhe, pritet t’i marrin beneficionet pas daljes në pension. Ata do të marrin nga 19 deri në 95 euro, varësisht nga sa vite kanë punuar në arsim.

“Të drejtën për të përfituar shtesë që në momentin kur del në pension e kanë të gjithë ata që kanë kontribuar përgjatë viteve 1990/99 në arsim. Pra deri në ditën kur arrin moshën për pension, nuk përfiton nga këto shtesat. Shtesat i marrin që në momentin kur pensionohen, pra në ditën kur del në pension personi në fjalë ka të drejtë të aplikojë për këtë shtesë që parasheh Ligji, pastaj shumat ndahen varësisht se sa kanë punuar në ato vite. Shtesa më e lartë që do të përfitojnë mësimdhënësit nga ky ligj në pensione është 95 euro, ndërsa më e ulëta 19 euro. Sipas pagës në ligjin e ri”, pati deklaruar Bytyqi.