Fitorja historike ndaj Gjermanisë që nuk humbiste prej 20 vitesh në shtëpi, trajneri i Maqedonisë një hero i vërtetë: Kisha bashkëshorten në spital me COVID-19

Si të mos mjaftonte kualifikimi historik në Europian, Maqedonia e Veriut, arriti një tjetër triumf epik në transfertë ndaj Gjermanisë, duke tronditur skuadrën e Johakim Lëv, që kishte plot 20 vite që nuk mposhtej në shtëpi në kualifikueset e Botërorit (1 shtator 2001, Gjermani-Angli 1-5).

Në 35 ndeshjet e fundit në shtëpi në kualifikueset e Botëroreve, “panzerat” numëronin 30 fitore dhe 5 barazime. Një meritë të madhe për këtë sukses të arritur ka padyshim edhe trajneri Aleksandar Angelovski, i cili në prononcimin pas ndeshjes u shpreh:

“Këta djem edhe njëherë e bënë krenarë Maqedoninë. Gjermania kishte 20 vite që nuk mposhtej në shtëpi në një kualifikuese Botërori. Po kush tjetër do ta thyente këtë traditë nëse jo ne. Këta futbollist janë heronjtë tanë, e çuan në këmbë të gjithë Maqedoninë. Kjo fitore është si kualifikimi në Kampionat Europian.

Unë erdha në këtë grumbullim, edhe pse bashkëshortja ime ishte hospitalizuar për shkak  të Covid 19 dhe kjo fitore i dedikohet asaj dhe gjithë personelit mjekësor si dhe fëmijëve të mi të cilët janë mbështetësit më të mëdhenj”, ka thënë Angelovski në konferencën për shtyp.