Flet Veliu: Nuk mohon se do të jetë ministër në Qeverinë Kurti

Lidhja Demokratike e Kosovës ka propozuar për Ministër të Punëve të Brendshme, Agim Veliun, aktualisht kryetar i komunës së Podujevës.

Këtë e ka konfirmuar vet Veliu për Insajderi. Ai nuk ka dashur të komentojë më shumë nga mbledhja e kryesisë së LDK-së, mirëpo ka thënë se është propozuar për ministër të Punëve të Brendshme.

“Po, kështu ka vendos kryesia”, ka thënë shkurt Veliu.

Pas emërimit të tij në postin e ministrit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Podujeva do të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Pos, Veliut, post ekzekutiv ka marrë edhe Avdullah Hoti, i cili sipas burimeve të Gazetës Insajderi, është propozuar për zëvendëskryeministër të Kosovës.

Ndërsa, mësohet se Anton Quni është propozuar për Ministër të Mbrojtjes, Besian Mustafa për Ministër të Bujqësisë, Hykmete Bajrami për Ministre të Arsimit, Lumir Abdixhiku ministër i Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Vlora Dumosh ministre e Kulturës.

Por, nesër në seancën e Kuvendit të Kosovës, ku pritet të votohet Qeveria Kurti, duket se do të ketë probleme. Vjosa Osmani, nga LDK nuk po e pranon postin e kryeparlamentares, ani pse, Glauk Konjufca nga VV, u bë kurban i kësaj marrëveshje ndërmjet këtyre dy partive për të dhënë dorëheqje nga posti i kryeparlamentarit, që kjo pozitë t’i takojë LDK-së. Osmani, po kërkon që ajo ta ketë nën udhëheqje Ministrinë e Punëve të Brendshme.

Kjo ministri po vazhdon të jetë mollë sherri për Qeverinë e cila pritet të votohet nesër pasi që, kërkesa e parë e LDK-së ndaj VV-së, për ta nënshkruar marrëveshjen e koalicionit, ishte pikërisht kjo ministri, për të kaluar më pastaj te pozita e Presidentit e deri te kryeparlamentari.