FOKUS – BE kërkon caktimin e shpejtë të posteve kryesore

Udhëheqësit e BE do të takohen në përpjekje për gjetjen e emrave për postet më të larta të bllokut, përfshirë edhe presidentin e ardhshëm të Komisionit Europian, pasi zgjedhjet për Parlamentin Europian rezultuan me humbje për partitë kryesore.

Më shumë se 400 milionë persona në të 28 shtetet anëtare të Bashkimit Europian votuan për 751 vendet e parlamentit.

Partia Popullore Europiane, e qendrës së djathtë, EPP mbajti pozitën drejtuese pavarësisht humbjes së më shumë se 30 vendeve.

Socialistët dhe demokratët e qendrës së majtë morën gjithashtu një goditje, por mbetën në pozitën e dytë.

Manfred Weber është kandidati kryesor i PPE-së për president të Komisionit Europian, sipas sistemit të ashtuquajtur “Spitzenkandidaten” (”një kandidat i vetëm”), i futur në vitin 2014 për të rritur pjesëmarrjen e votuesve.

Kandidatura e tij nuk u mirëprit plotësisht nga udhëheqësit e BE-së dhe presidenti francez, Emmanuel Macron, i cili kundërshton sistemin ”Spitzenkandidaten”.

Macron ka zhvilluar bisedime me disa homologë të tij europianë, përfshirë kancelaren gjermane, Angela Merkel, përpara takimit joformal të së martës në Bruksel.

Udhëheqësit e grupeve politike në parlament duhet të kenë mbajtur bisedimet përpara se krerët e shteteve të takohen sot në orën 18:00.

Kryetari i komisionit është një nga postet më të larta, ku përfshihen edhe pasardhësi i  presidentit të Këshillit Europian, Donald Tusk, diplomati më i rëndësishëm i bllokut dhe kreu i Bankës Qendrore Europiane.

Udhëheqësit e BE-së caktojnë presidentin e Komisionit, por zgjedhja e tyre kërkon mbështetje nga shumica në parlament.

Fituesit e mëdhenj të zgjedhjeve ishin ALDE, ndjekur nga të gjelbrit.

Kandidatët e tjerë kryesorë janë zëvendëspresidenti aktual i komisionit, Frans Timmermans dhe komisionerja për Konkurrencën, Margrethe Vestager, e cila konkurron për ALDE-n./atsh