Fshati në Vushtrri nën ankthin e Koronavirusit: Dy raste të konfirmuara, 33 të tjerë të testuar

Në fshatin Smrekonicë të komunës së Vushtrrisë janë infektuar dy persona nga koronavirusi ndërsa 33 banorë të tjerë po presin rezultatet.

Dy raste pozitive të këtij fshati janë të gjinisë femërore dhe të cilat po trajtohen në Klinikën Infektive në Prishtinë.

Drejtori i Shëndetësisë në komunën e Vushtrrisë, Sylejman Meholli ka thënë per Periskopin se kanë identifikuar të gjitha kontaktet e rasteve pozitive.

“Janë identifikuar kontaktet e rasteve pozitive në këtë fshat si dhe janë në izolim dhe karantinë i gjithë fshati dhe IKSHPK është në procedurat e testimit të kontakteve, kurse stafi jonë i QKMF-së në rast nevoje për çfarëdo shërbimi mjekësor është ne kontakt me ta dhe është i gatshëm për te ju ofruar ndihmën mjekësore”, ka thënë Meholli.

Ndërkohë përfaqësuesi i fshatit Smrekonicë, Fidan Bejat ka bërë të ditur se vetëm sot janë testuar 33 banorë të fshatit, ku nga 33 personat 23 janë anëtarë të familjes dhe 10 banorë të tjerë të fshatit të cilët kanë pasë kontakt me rastet e konfirmuara me koronavirus.

“Të gjitha rrugët e fshatit janë të bllokuara, të gjitha rastet e dyshimta janë të izoluara. 33 teste janë bërë sot, 23 pjesëtarë të familjes të 2 rasteve pozitive, 10 testime tjera kanë ndodhë në fshat, raste që dyshohen që kanë qenë në kontakt me familjarin e dy rasteve pozitive”, ka thënë ai për Periskopin.

Deri më tani në Kosovë janë shënuar 170 raste me koronavirus me 24 të shëruar dhe 4 të vdekur.