Fshatrat e Kamenicës i kërkojnë Thaçit, Veselit e Haradinajt të ndërhyjnë kundër mbylljes së shkollave

Në një letër të Bashkësisë Lokale të fshatit Karaçevë e Poshtme të Kamenicës që mban datën 10 korrik 2019, dërguar institucioneve më të larta të shtetit shprehin shqetësimin e tyre për mbylljen e shkollave nga Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati.

Në këtë letër banorët e këtij fshati shprehen se nga shtatori i këtij viti komuna do të mbyllë 19 shkolla, e një nga to është shkolla e këtij fshati me 100 nxënës. Madje banorët kanë kërcënuar që nëse nga shtatori Kryetari i kësaj komune mbyll shkollat, atëherë do të përballet me protesta masive popullore.

Kurse nga Komuna e Kamenicës për Gazetën Express kanë deklaruar se Kryetari i Komunës është konsultuar për riorganizimin e shkollave me Ministrin Shyqiri Bytyqi dhe ai e mbështet këtë nismë.

Bashkësia Lokale e Karaçevës së Poshtme kanë kërkuar nga Presidenti, Kryeparlamentari, Kryeministri dhe Ministria e Arsimit që nismën e Kryetarit të Komunës së Kamenicës për mbylljen e 19 shkollave ta kthejnë mbrapsht.

“Ju lusim që kjo ide e mbrapsht e Kryetarit të Komunës së Kamenicës, Qendron Kastrati të hedhet poshtë nga ju tituj të lartpërmendur dhe duke shpresuar se në shtator nuk do të lejoni mbylljen e shkollave tona, ju falënderojmë paraprakisht”.

Nga kjo Bashkësi lokale është paralajmëruar se nëse ndodhë mbyllja e shkollave në shtator, atëherë ata do të organizojnë mësimin paralel si në vitet e 90-ta.

“Si përfundim, ju paralajmërojmë se nëse vjen deri te mbyllja e 19 shkollave shqipe në shtator dhe ju nuk e parandaloni këtë veprim të mbrapsht të Kryetarit Kastrati, atëherë të jeni të sigurt se shtatori do të shoqërohet me protesta masive popullore dhe do të kërkohet dorëheqja e parevokueshme e kryetarit Kastrati dhe ky vendim absurd i tij nuk do të përfillet nga prindërit si dhe ne do të hapim shkolla paralele, si në vitet e 90-ta”.

Të kontaktuar nga Gazeta Express për këtë çështje, zyrtarë nga Komuna e Kamenicës kanë thënë se Kryetari Qëndron Kastrati është konsultuar me MAShT-in për riorganizimin e shkollave në këtë komunë.

“Kryetari i Komunës është konsultuar me Ministrinë për riorganizim e shkollave dhe Ministri z.Shyqiri Bytyqi ka dalë në mbështetje të nismës sonë edhe me deklaratë publike. Ministria është shprehur e gatshme të bashkëpunoj me komunën tonë në çfarëdo lloj forme për të mirën e nxënësve dhe të komunitetit në përgjithësi”.

Komuna e Kamenicës ka deklaruar se do të mbyllen disa objekte shkollore, por nxënësit do të barten në shkollat më të afërta.

“Duhet ta kemi të qartë që po flasim për riorganizim të sistemit arsimor, do të ketë objekte ku do të ndërpritet zhvillimi i procesit mësimor, mirëpo nxënësit e këtyre shkollave do të barten nëpër shkollat më të afërta në të cilat do të zhvillohet mësimi, me anë të transportit të organizuar të financuar nga komuna”.

Komuna e Kamenicës ka bërë të ditur se procesi mësimor do të zhvillohet sipas Udhëzimit Administrativ të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

“Procesi mësimor do të zhvillohet në objekte shkollore të caktuara që i plotësojnë kushtet ku do të bëhet ndarja e cikleve (0-5) dhe (6-9) siç e kemi obligim me UA (MAShT). Për nxënësit që duhet të udhëtojnë, transporti do të sigurohet dhe financohet nga Komuna e Kamenicës. /GazetaExpress/