Fundoset barka me emigrantë, mbi 50 të vdekur

0
242

Dhjetëra emigrantë besohet se kanë vdekur pasi barka me të cilën po udhëtonin u fundos në Detin Mesdhe, jo shumë larg brigjeve të Tunizisë.

Organizata Ndërkombëtare e Emigrantëve e Kombeve të Bashkuara tha se së paku 50 njerëz kanë vdekur në këtë incident dhe 16 të tjerë kanë mbijetuar.

Sidoqoftë, mediet shtetërore të Tunizisë raportuan se 70 emigrantë janë fundosur rreth 74 kilometra nga qyteti Sfax, i cili ndodhet në jug të kryeqytetit Tunizi.

Zyrtarët e Tunizisë besojnë se barka është nisur nga qyteti Zuwara i Libisë.

Raportohet se deri tash janë nxjerrë trupat e vetëm katër personave dhe forcat detare po i vazhdojnë kërkimet për trupat tjerë.

Mediet lokale raportuan se në operacionin për shpëtimin e personave që ende ishin të gjallë. Merret vesh se udhëtarët kishin prejardhje nga Afrika subsahariane.

Mijëra emigrantë përpiqen që të shkojnë në Evropë përmes Detit Mesdhe. Ata shpesh udhëtojnë në anije të dobëta dhe të mbingarkuara. Si pasojë e këtyre rrethanave, shumë prej tyre kanë vdekur gjatë rrugës.

Në janar të këtij viti, një raport i Kombeve të Bashkuara tha se gjashtë emigrantë kanë vdekur çdo ditë gjatë vitit 2018 në përpjekje për ta kaluar Detin Mesdhe, shkruan “BBC”