GAP akuzon BQK-në se po mban sekret vendimin për shtrenjtimin e sigurimeve për vetura

Institutit GAP i mohohet e drejta për qasje në vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) për rritjen e sigurimeve për vetura.

GAP e ka bërë kërkesën për qasje në adresë të BQK-së më 10 dhjetor 2019, me ç’rast ka kërkuar qasje në Studimin Aktuarial mbi të cilin është bazuar BQK kur ka marrë vendim për rritjen e çmimit të sigurimeve për vetura për 26%, si dhe ka kërkuar qasje në Vendimin e Bordit ekzekutiv të BQK të datës 31 tetor 2019 për rritjen e sigurimeve.

Por, BQK nuk i ka bërë publike këto dokumente, duke shkelur kështu Ligjin për qasje në dokumente publike dhe misionin e saj. Banka Qendrore e Kosovës ka kërkuar që përfaqësuesit e Institutit GAP të takohen me zëvendësguvernatorin, në vend të publikimit të dokumenteve.

“GAP konsideron skandaloze dhe të kundërligjshme që një vendim i organeve publike i cili prek rreth 400 mijë qytetarë të Kosovës të mbahet konfidencial, duke u thirrur në një Rregullore të brendshme për fshehtësinë”, thuhet në njoftimin e këtij instituti.

GAP paralajmëron se do të kërkojë intervenimin e Avokatit të Popullit, para se ta dërgojë në Gjykatë, vendimin e BQK-së për mospublikim të dokumente, edhe pas përsërtijes së kërkesës.

Po ashtu, Instituti GAP rikujton se më 12 shtator 2019, Autoriteti Kosovar i Konkurrencës (AKK) kishte dhënë mendim profesional për BQK-në ku e paralajmëron së unifikimi i çmimeve sa i përket sigurimit të detyrueshëm nga autopërgjegjësia TPL është në kundërshtim me parimet e konkurrencës në një treg të lirë.

“Instituti GAP publikisht kërkon nga BQK që t’i lejohet qasje në Vendimin e Bordit Ekzekutiv të datës 31 tetor 2019 për rritjen e tarifave të primit të sigurimit të detyrueshëm nga auto-përgjegjësia, si dhe qasje në të dhënat në nivel të industrisë të cilat do të ndihmonin publikun e gjerë të kuptojë arsyeshmërinë e pohimeve të BQK-së për rritjen e tarifave”, thuhet në njoftim.

Ndërsa BQK konsideron se kjo është bërë me qëllim që tarifat e sigurimit të reflektojnë më mirë zhvillimet në ekonominë e vendit dhe në këtë mënyrë të krijojnë kushtet për rritjen e qëndrueshmërisë së sektorit të sigurimeve, si dhe përmbushjes së rekomandimit të FMN-së për rishikim të tyre.

“Përshtatja e tarifave për kushtet e inflacionit ka ndikim të drejtpërdrejtë në forcimin e qëndrueshmërisë së këtij sektori, duke rritur kështu aftësinë e kompanive të sigurimit për kompensim të drejtë dhe me kohë të dëmeve për policëmbajtësit”, kishte deklaruar më parë BQK, sipas së cilës çmimet aktuale të primeve për sigurimin e detyrueshëm nga auto-përgjegjësia ndaj palës së tretë kanë mbetur të pandryshuara që nga viti 2001. /Gazeta Sinjali/