Gashi: Jemi shumë të zhgënjyer me koeficientin, po presim pagat e shkurtit pastaj vendosim

Ndryshe prej policisë, ajo e Administratës po vazhdon të analizojë situatën.

Ani pse ndjehen të zhgënjyer me koeficientin.

Por as nga kjo sindikatë nuk e mohojnë se mund të ketë veprime sindikale pas pagës së muajit shkurt.

“Ne jemi në kontakt edhe me federatat e tjera, të cilat e kanë një qëndrim të përafërt, dhe ne jemi ka shohim, ka e përcjellim situatën, por sinqerisht është një zhgënjim i paparë për zyrtarët publik duke marr parasysh që çmimet janë duke u rritur çdo ditë e më shumë, dhe këtë vlerë të koeficientit më së miri do e shpërfaq paga që do të merret, paga e shkurtit, atëherë që do e shohim situatën se si do të reflektojë, dhe si do të jetë qëndrimi i zyrtarëve publik”, shprehet Ali Gashi, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Administratës se Kosovës për Front Online.

Vlera monetare e koeficientit të pagave do të jetë 105 euro për vitin 2023, e 110 euro për vitin 2024.

Sipas Ligjit të pagave në sektorin publik, koeficientin më të lartë e ka pozita e presidenit – 18 – që i bie që paga e presidentit është 1.890 euro.

Ligji për Pagat në Sektorin Publik ishte miratuar në dhjetor të vitit të kaluar me 63 vota për. Deputetët e tri partive opozitare, PDK, LDK dhe AAK, nuk morën pjesë ndonëse ishin të pranishëm në sallën e Parlamentit. Kritikat e tyre lidheshin kryesisht atëherë me mos-caktimin e vlerës së koeficientit.

Në vitin 2020 Gjykata Kushtetuese e Kosovës e kishte shpallur të pavlefshëm ligjin e atëhershëm për pagat në sektorin publik. Sipas vendimit të asaj kohe, ky ligj nuk ishte në përputhje me 11 nene të Kushtetutës së Kosovës.