Gashi: Kompetente për propozimin e statutit të Asociacionit është vetëm Qeveria e Kosovës

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi ka thënë se kompetente për propozimin e statutit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe si dhe menaxhimin me partnerët ndërkombëtarë është vetëm qeveria e Kosovës.

“Të jemi të qartë e të saktë; kompetent për propozimin e statutit të asociacionit, si dhe menaxhimin me partnerët ndërkombëtarë, është vetëm Qeveria e Kosovës, askush tjetër, asnjë Qeveri e ndonjë vendi tjetër”, ka shkruar Gashi në Facebook.

Kjo deklaratë e tij vjen pasi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka bërë të ditur në një konferencë për media se dje ua ka përcjellë një draft për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë presidentit të Francës, Emmanuel Macron, dhe kancelarit gjerman, Olaf Scholz.

Rama tha se dokumenti është konfidencial, por u shpreh i bindur se është “një dokument i nivelit më të lartë ndërkombëtar që merr në konsideratë të gjitha arsyet për krijimin e Asociacionit dhe që Asociacioni është pjesë e organizimit të jetës për Kosovën”.