Gashi parasheh që gjykimi i krerëve të UÇK-së të zgjasë rreth pesë vjet

Avokati Tomë Gashi ka parashikuar që gjykimi i ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë mund të zgjashë për rreth pesë vjet.

“Unë kam marrë pjesë në disa prej gjykimeve të pjesëtarëve të UÇK-së, apo të komandantëve të UÇK-së që kanë qenë në Tribunalin e Hagës, por edhe në Kosovë nuk ka pasë asnjë rast prej rastve të tilla, pra i akuzave të tilla për krime të luftës, që ka zgjatur më pak se pesë vjet”, ka thënë Gashi në Edicionin Special të Klan Kosovës.

“Ne e kemi pasur rastin më të madh dhe më të gjatë që ka ndodhur, rasti i zotëri Sylejman Selimit i cili ka zgjatur rreth shtatë vjet, dhe e kemi pasur rastin që është zhvilluar në Mitrovicë”.

Sipas Gashit, çështjet e numrit të madh të dëshmitarëve, mbi 300 sosh, pastaj përkthimet marrin kohën e tyre.

Gjatë intervistës Gashi po ashtu e ka shprehur habinë me qasjen që kjo Gjykatë po e ka në këtë gjykim.

“Mendoj që tani të gjithë po dimë që kemi të bëjmë me fjalën hyrëse dhe e kemi parë prokurorinë e cila ka dëshmuar faktikisht që sipas tyre kanë hetuar për vite të tëra, për decenie të tëra, dhe e keni parë që diçka është jashtëzakonisht e çuditshme, sepse të gjithë po e dimë që shënjestra kryesore është Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së dhe komunikatat që i përmenden, si ekip i prokurorëve, thanë që komunikatat janë edhe të vitit 1994, dhe që kjo është krejtësisht në kundërshti me periudhën kohore për të cilën është ngritur kjo aktakuzë”.