Gashi: Prokurori s’ngriti aktakuzë për vrasjen e Balajt dhe Xheladinit, tha se policët rumunë i kishin armët e njëjta

Avokati Tomë Gashi ka treguar detaje nga protesta e përgjakshme, e 15 vjetëve më parë, kundër negociatave të Kosovës me Serbinë dhe Pakos së Ahtisaarit, ku u vranë aktivistët e Vetëvendosjes, Arben Xheladini dhe Mon Balaj.

“Policia jonë është lënë qëllimshëm në sandviç, në mes të policisë rumune të UNMIK-ut, atyre që u shndërruan në vrasës, dhe protestuesve. Itinerari i protestës ka qenë i ditur dhe është paraparë që të jetë një protestë krejtësisht paqësore dhe nuk ka qenë në mendjen e askujt që të ketë konfrontime të tilla me policinë, posaçërisht që të vijë edhe deri te gjuajtja me armë. Kanë qenë 12 policë rumunë të UNMIK-ut, të cilët kanë përdorur me qindra plumba gome. 12 policë kanë qenë në njësinë, e cila është identifikuar edhe nga prokurori amerikan që ka kryer hetimet si ‘njësia vrastare’. Kjo njësi e policisë rumune të UNMIK-ut kanë qenë ata që kanë vrarë Monin dhe Arbenin dhe kanë plagosur rëndë më tepër se 90 pjesëtarë në protesta. Janë identifikuar nga vetë institucionet e UNMIK-ut, derisa i angazhuar ka qenë një prokuror amerikan”.

Ai, në “Edicionin Special” në Klan Kosova, ka thënë se ka paraqitur kallëzim penal kundër njësisë së policëve rumunë të UNMIK-ut, por prokurori amerikan në këtë çështje nuk ka ngritur aktakuzë për shkak se s’ka mundur të identifikojë se nga cili polic janë vrarë dy aktivistët.

“Unë kam paraqitur kallëzim penal kundër policëve meqë ata janë identifikuar si vrasës dhe prokurori amerikan e ka sqaruar situatën me një procesverbal rreth 50 faqësh, derisa edhe nga pamjet e qindra kamerave është identifikuar kjo njësi e policisë së UNMIK-ut të cilët kanë gjuajtur me qëllim të vrasjes. Kallëzimin penal e kemi dërguar në gjykatën kompetente. Pastaj janë kryer hetimet dhe rezultati ka ardhur diqysh shumë i pakuptueshëm, i çuditshëm, jo normal dhe jo i drejtë. Janë identifikuar vrasësit, por prokurori ka thënë që nuk mund të ngritë akuzë kundër ndonjërit prej tyre meqë i kanë pushkët e njëjta dhe plumbat kanë qenë të njëjtë dhe nuk mund të identifikohet se cili prej tyre ka gjuajtur dhe i ka goditur për vdekje Monin dhe Arbenin”.

“Unë kam pasur shumë paraqitje me këtë prokuror dhe i kam sqaruar se është vërtetuar edhe nga ai se qëllimi ka qenë vrasës, do të duhej t’i akuzonte të gjithë këta 12 policë rumunë dhe më pas gjatë procesit gjyqësor të vërtetohet qëllimi i njërit apo i të gjithë prej tyre, sepse kështu vepron drejtësia. Nëse njerëz të caktuar, posaçërisht policë, quajnë me qëllime vrastare akuzohen të gjithë. Nuk po them se 12 policët kanë goditur me qëllime vrastare, por kjo njësi është identifikuar nga prokurori amerikan. Për shkak të mosidentifikimit individual prokurori nuk ka ngritur aktakuzë të përgjithshme që t’i akuzojë të gjithë si grup, edhepse kjo ka qenë krejtësisht e ligjshme dhe e drejtë”.