Gashi: Qeveria Kurti ka thyer rekordet e importit nga Serbia në vlerë prej 370 milionë euro

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, në përshkrimin e punës dyvjeçare të Qeverisë, tha se ky pushtet disa herë ka marr karton të kuq dhe është i dobët e fatkeqësi për vendin.

Gashi ia kujtoi Kurtit premtimin e tij rreth reciprocitetit me Serbinë, gjersa ia faktoi se deri më tani kjo Qeveri ka thyer rekordet e importit nga Serbia në vlerën prej 370 milionë euro.

“4.7 miliard euro është deficiti tregtar. Tatimin në pronë e rritët për 100%, ndërsa inflacioni sipas Bankës Botërore është arritur në 20%, e për produkte esenciale është mbi 50%, e ju vazhdoni të qeverisni me britma pa asnjë plan e veprim përballë krizave që po i shtoni dhe i thelloni më tej”, tha Gashi.

Ai, tha se kjo Qeveri nuk i kishte dëgjuar as propozimet e LDK-së për tu përballur me krizën; pezullimin e akcizës në naftë, heqjen e TVSH-së në produkte bazike, për një periudhë të caktuar, si dhe rritjen e pagave në bazë të rritjes së normës së inflacionit.

“Investimet kapitale për 9 muajt e vitit 2022 kanë qenë vetëm 11%. A e dini çfarë i keni bërë ekonomisë së vendit? A e dini se i keni bllokuar 800 milion euro në buxhet në kohën kur vendi dhe qytetarët kishin më së shumti nevojë? A e dini se vetëm nga shuma e parave që është zhvleftësuar nga mosveprimi juaj do të bëheshin shumë projekte”, nënvizoi Gashi.