Kusari: Opozita po do Komision Hetimor për energjinë në kohën kur po zhvillohet lufta Rusi-Ukrainë

Shefja e Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari – Lila ka deklaruar në Kuvend se opozita po dëshiron të formojë Komision Hetimor parlamentar për energjinë në kohën kur po zhvillohet lufta Rusi-Ukrainë e cila luftë e ka bazën e konfliktit në energji, raporton Gazeta Express.

“Në rrethanat në të cilat tash në Evropë, është një luftë duke u zhvillu dhe bazën e konfliktit e ka në resurset dhe në mospasjen e mundësisë së pavarësimit energjetik të BE-së të cilën Rusia po e shfrytëzon, këtu në kuvend partitë opozitarë kanë bë çmos me e parandalu qeverinë në krejt masat e veta. Fatmirësisht nuk ia kanë arritë, qeveria e ka vazhdu punën e vet”, ka thënë ajo.

Kusari tha se ligji për Hetimin Parlamentar nuk lejon të formohet Komisioni Hetimor pasi kryesuesi i komisionit duhet të zgjidhet nga partitë që s’janë iniciues të themelimit të Komisionit.

“VV nuk e cenon e as nuk e pengon punën e Kuvendit, po sigurohemi për ligjshmërinë e këtij procesi.. Më lejoni edhe njëherë të citoj nenin 10 të Ligjit për Hetim Parlamentar: Kryesuesi i Komisionit emërohet nga Kuvendit, kryesuesi zgjidhet nga njëri prej partive që s’është iniciues të themelimit të Komisionit dhe nuk i përket koalicionit qeverisës Janë blloku të gjitha grupet parlamentare, pasi nënshkruesit janë PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe. Dispozitat ligjore s’janë çështje teknike”, tha Kusari.