Gazetarja kosovare kujton masakrën e Hasit, që e përjetoi vetë: Serbët merrnin kufomat dhe i hidhnin në kamionetë

Sot në 21 vjetorin e masakrës së Hasit, gazetarja kosovare Evliana Berani e cila ka përjetuar vetë këtë ngjarje të tmerrshme të shkaktuar nga serbët, ka rrëfyer tmerrrin që ka përjtuar atë kohë.

Evliana, ndër të tjerash ka treguar dhimbjet e nënave që kanë parë të masakruar familjarët e tyre, dhe pa pikë mëshire i hidhnin në kamionetë.

“E kujtoj fëmijën e trishtuar që ndodhej aty brenda shtëpisë kur policia e Millosheviqit po merrte kufomat e, i hidhte në kamionetë”, ka shkruar Evliana në Facebook.

Ky është shkrimi i saj i plotë:

Sot qenka 21 vjetori i masakrës së Rogovës! Kam qenë në vendin e ngjarjes dhe e kujtoj shpesh ate. E kujtoj fëmijën e trishtuar që ndodhej aty brenda shtëpisë kur policia e Millosheviqit po merrte kufomat e, i hidhte në kamionetë. E kujtoj nënën , në shtëpinë tjetër, aty afë ngjarjes, e cila ishte gurëzuar nga dhimbja pse i kishin marrë nga shtrati djemtë dhe bashkëshortin; E kujtoj gruan e lemeritur në një shtëpi, në bregun afër. I kujtoj duart e saj që dridheshin derisa hapte derën e dhomës nga ku poashtu janë tërhequr kufomat. Sa e trishtuar jam me të gjithë ate çka kanë përjetuar njerëzit dhe, sa e trishtuar jam me injorancën e egot malicioze që i kemi instaluar pas gjithë asaj. Me servilë nuk ndërtohet shoqëria e as nuk vendoset drejtësia.

Kujtojmë, që sot bëhen 21 vjet nga masakra që është kryer nga forcat armike në fshatin Rogovë të Hasit, ku ranë në pritë luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por nga vrasjet nuk u kursyen as shumë civilë të fshatit.

Në datat 27, 28 dhe 29 janar të vitit 1999 në këtë fshat ranë dëshmorë 21 persona./gazetametro.net