Rusia e merr bajrakun në Nagorno-Karabakh, dërgon trupa që do të qëndrojnë së paku pesë vjet

Trupa paqeruajtëse ruse janë dërguar në Nagorno-Karabakh në orët e hershme të së martës si pjesë e marrëveshjes për armëpushim, për të cilën presidenti rus, Vladimir Putin, tha se duhet ta shtrojë rrugën për një zgjidhje politike afatgjate për konfliktin mes Armenisë dhe Azerbajxhanit.

Marrëveshja mes dy ish-republikave sovjetike hyri në fuqi në mesnatë dhe u ndërmjetësua nga Moska. Me këtë pakt synohet t’i jepet fund konfliktit që shpërtheu me 27 shtator, gjatë të cilit u vranë mbi një mijë persona nga të dyja palët e konfliktit, përfshirë shumë civilë.

Sipas marrëveshjes së re, Azerbajxhani do t’i mbajë nën kontroll të gjitha territoret e fituara gjatë konfliktit, përfshirë qytetin e dytë më të madh në Nagorno-Karabak, Shushi, ndërsa forcat etnike armene duhet ta dorëzojnë kontrollin e disa territoreve tjera më së largu deri më 1 dhjetor, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.

Trupat paqeruajtëse ruse do të qëndrojnë në rajonin e kontestuar për së paku pesë vjet. Putini tha se këto trupa do të vendosen përgjatë vijës së frontit në Nagorno-Karabakh dhe në një korridor mes kësaj enklave dhe Armenisë, që është pjesë e territorit të Azerbajxhanit.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se e ka filluar dërgimin e 1.960 trupave në Nagorno-Karabakh, të cilët tashmë janë rrugës për në një bazë ajrore e nga aty do të dërgohen përmes aeroplanëve së bashku me pajisjet dhe automjetet e tyre.

Për më tepër, presidenti rus tha se personat e zhvendosur tash mund të kthehen në vendbanimet e tyre, ndërsa të burgosurit dhe trupat e të vrarëve do të shkëmbehen mes palëve të konfliktit. Lidhjet e transportit dhe lidhjet ekonomike në këtë zonë do të rihapen me ndihmën e rojave kufitare ruse.

Për këtë marrëveshje ka pasur pakënaqësi të menjëhershme në Armeni, ku protestuesit janë futur në zyrat qeveritare dhe i kanë dëmtuar objektet, ndërsa presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, ka thënë se edhe Turqia do të përfshihet në përpjekjet për ruajtjen e paqes.