Gërvalla e quan modeste shumën prej 7 mijë e 500 euro që e merr Gani Jakupi

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka folur në lidhje me raportimet se Gani Jakupi merr 7 mijë e 500 euro pagë.

Këtë pyetje ia bëri Ariana Musliu e PDK-së, e cila kërkoi sqarime nga ministrja.

Gërvalla u përgjigj duke thënë se vlera e 7 mijë e 500 eurove nuk është pagë mujore por sipas saj është një shumë modeste për lobimin që Jakupi e bën.

“Sa i përket pagesë prej 7 500 euro, pikërisht partia që ju përfaqësoni ka paguar 50 fishin. Për PDK hezitoj që të diskutoj për financa, unë ju dëgjova sepse ju e shfrytëzon mikrofoni vetëm për të bërë gënjeshtra. Kjo nuk është pagë, është një projekt i lidhur me objektiva të qarta”.

“Me këtë shumë modeste që nuk është pagë mujore është shumë modeste për gjithë lobimin që bënë. Ai nuk është këshilltar i imi, ai ka një kontratë. Më vjen keq që Gani Jakupi përballet me një fushat të tillë”, tha ajo.

Ndryshe mediumi “Periskopi” ditë më parë kishte raportuar se këshilltari i angazhuar nga Gërvalla, merr pagë mujore 7 mijë e 500 euro.